Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e ka shkëputur Kontratën Kolektive me Sinikatën e Bashkuar të Arsimit, (SBASHK) e cila është nënshkruar në vitin 2021.
Ministria e Arsimit, e cila udhëhiqet nga Arbërie Nagavci, shkëputjen e kontratës e ka bërë në mënyrë të njëanshme. Për këtë, Ministria e Arsimit është thirrur në disa arsye.
Për shkëputjen e kontratës për FrontOnline, ka folur avokati i SBASHK-ut, Xhevdet Smakiqi.
Ai tha se Ministria nuk ka bazë ligjore për shkëputjen e kontratës kolektive.
“Ministria nuk ka pasur bazë ligjore për tu thirrur në asnjë nen të kontratës kolektive kur e ka lëshuar atë njoftim i cili është pa bazë ligjore, është qesharak pasi që me kontratën kolektive ekzistojnë dispozitat konkrete që e përcaktojnë zgjedhjen e konteksteve ndërmjet palëve dhe askund në asnjë dispozitë nuk parashihet shkëputja e njëanshme e kontratës kolektive”, u tha ai për Front Online.
Smakiqi tha se nëse është e nevojshme kundërshtimin do ta bëjnë deri në gjykatën e Arbitrazhit.
“Në aspektin ligjor do t’i këshilloj SBASHK-unë dhe ata do t’i marrin vendimet. Unë do t’i mbështes për ta kundërshtuar këtë vendim i cili nuk ka vlefshmëri juridike sa i përket shkëputjes të njëanshme të Kontratës kolektive nga MASHTi, varësisht se si do të vendosin ata ne do t’i përgatisim të gjitha shkresat qoftë edhe organizimin pranë Arbitrazhit ose komisionin e pajtimit siç parashihet me dispozitat e kontratës kolektive”, tha ai
Rexhaj: Kontrata kolektive ka pasur disa probleme që ia kanë pamundësuar implementimin
Për shkëputjen e kontratës kolektive e cila është nënshkruar në vitin 2021 ndërmjet ish-ministrit të MASHT , Ramë Likaj dhe SBASHK-ut, për FrontOnline, ka folur ish-ministri, Xhavit Rexhaj.
Ai tha se kjo kontratë ka pasure disa probleme të cilat ia kanë pamundësuar implementimin e plotë.
“Kontrata ka pasur shumë elemente që e kanë bërë të pamundur me u zbatu kontrata është konceptuar në kohë fushata dhe ne e dimë që kontrata ka pas shumë probleme në implementim. Shumë komuna janë dëmtuar në punën e tyre për shkak të kontratës, por unë mendoj se në vendimin për anulimin e kontratës është dashur me shkru fillimin e procesit të ri të një kontrate ma reale me SBASHK-un dhe mësimdhënësit”, tha ai.
Ndërsa i pyetur se çfarë humbin mësimdhënësit nga shkëputja kolektive, Rexhaj tha se ata i humbin disa privilegje që asnjëherë nuk i kanë gëzuar.
“Janë disa privilegje që i kanë mësimdhënësit, por ato përfitime nuk janë realizuar tërësisht, mësimdhënësi i humbin disa privilegje por njëkohësisht i humbin disa privilegje që nuk i kanë gëzuar asnjëherë” tha Rexha për Front Online.
Anëtari i këshillit drejtues të SBASHK-ut: Kjo qeveri është mbushur “taksirat”
Shkëputja e njëanshme e kontratës kolektive ndërmjet MASHT-it dhe SBASHK-ut po shihet si një presion për këta të fundit.
Kështu tha për FrontOnline, Isuf Lajçi, anëtar i këshillit drejtues në SBASHK.
“Këtë ne e marrim si një presion të vazhdueshëm ndaj SBASHK-ut. Këta hapat e ngutshëm të MAShT-it nuk ndikojnë shumë në anëtarësinë e sindikatës, ne brenda kësaj jave do të kemi një mbledhje të këshillit drejtues dhe do ta shohim punën tonë të mëtutjeshme. Kjo qeveri është mbush taksirat ishalla nuk është mbush me u thy me neve me i prish punë me ne, kjo kontratë nuk zhbëhet nga njëra palë por duhet të bëhet marrëveshje nga të dy palët kontrata është e përhershme dhe aty shkruan vetëm mundet me u modelu”, tha ai.
Lajci tha se me shkëputjen e kontratës kolektive, mësimdhënësit i humbin disa privilegje, siç janë tri pagat për pensionim, shujtat , vitet jubilare, etj.
“Me kontratën kolektive parashihet çdo e drejtë e një anëtari të sindikatës që e ka në punë në mesin e tyre, ka edhe implikime buxhetore por ato implikime me kohë janë sinjalizuar por kryetarët e komunave nuk kanë planifikuar buxhet kanë menduar se qeveritë aktual do të parashohin buxhet shtesë. Qeveritë e kanë hartuar kontratën ku e ka obliguar punëdhënësin për me iu përgjigj kontratës janë tri paga për me dalë në pension, janë shujtat, vitet jubilare ka edhe obligime tjera por këto janë ma të veçanta”, tha ai për Front Online.
Anëtari i këshillit drejtues të SBASHK-ut, tha se pjesët e pazbatuara të kontratës kolektive, sindikata është duke i nxjerrë përmes gjykatave.