Sot do të zhvillohen tri ndeshje në kuadër të Botërorit “Qatar 2022”, i cili nisi dje me fitoren e lehtë të Ekuadorit ndaj organizatorit të turneut (2:0).
Fillimisht në orën 14:00, Anglia do të luajë kundër Iranit, në një ndeshje ku “Tre Luanët” vlerësohen favoritë absolut. Në orën 17:00, Holanda do të përballet në Grupin A me kampionin e Afrikës, Senegalin. Të dyja kombëtaret në këtë përballje do të paraqiten pa golashënuesit e tyre më të mirë. Memphis Depay nuk do të jetë në radhët e Holandës për shkak të një lëndimi të muskujve, ndërsa senegalezët janë pa yllin e tyre Sadio Mane, i cili mungon në këtë turne për shkak të lëndimit.
“Ne do të jemi pa Depayn. Ai nuk do të luajë. Senegali duhet të luajë pa Sadio Mane. Do të jetë interesante të shohim se si do t’i zgjidhim problemet të dyja ekipet”, tha trajneri holandez Louis Van Gaal.
Ndërkaq, në orën 20:00, do të zhvillohet ndeshja ndërmjet SHBA-së dhe Uellsit, ku po ashtu pritet lojë interesante, pasi të dyja palët synojnë ta nisin Botërorin me fitore.
Sot në RTK
14:00 Angli – Iran (Grupi B)
17:00 Holandë – Senegal (Grupi A)
20:00 SHBA – Uells (Grupi B)