Presidentja Vjosa Osmani është takuar me Zëvendëskryeministrin, njëherit ministrin e Shtetit të Katarit, Hamad Bin Abdulaziz Al Kawari, me të cilin diskutoi mbi thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve mes dy shteteve, në samitin e krerëve të shteteve të Frankofonisë, në Djerba të Tunizisë.
Osmani i çmoi si të shkëlqyera marrëdhëniet mes dy vendeve dhe e vlerësoi lart mbështetjen e vazhdueshme të Katarit për Kosovën, si para ashtu edhe pas pavarësisë.
“Populli i Kosovës i është mirënjohës Katarit për bashkëpunimin dhe pret që të dyja vendet ta thellojnë më tej atë, duke hapur kaptina të reja bashkëpunimi në energji, arsim, shëndetësi, turizëm, bujqësi dhe fusha të tjera”, tha Osmani gjatë takimit.
Presidentja përmendi edhe një varg projektesh, të cilat mund të zhvillohen si rrjedhojë e bashkëpunimit, sidomos në fushën e teknologjive moderne dhe inovacionit, duke ditur që Kosova ka popullsi me moshë shumë të re, të zonjën për të zhvilluar projekte në këtë fushë, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Zëvendëskryeministri i Katarit, Al Kawari, e çmoi bashkëpunimin e deritashëm mes Kosovës dhe Katarit dhe theksoi se Katari do të jetë gjithmonë në krah të Kosovës.
Ai theksoi se Kosova dhe Katari janë të dyja shtete të vogla, me histori deri diku të ndryshme, por me shumë pika të përbashkëta, prandaj ato mund të mësojnë shumë nga njëra-tjetra, por edhe të shpijnë përpara ide të përbashkëta, të cilat janë të favorshme për të dyja vendet