Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në orët e vona të së mërkurës i është nënshtruar një intervenimi kirurgjik në një prej spitaleve private në vend.
Një vendim i tillë i udhëheqëses së shtetit që ka zgjedhur privatin para QKUK-së për heqje të tëmthit ka nxitur reagime të shumta.
Pa reaguar s’ka qëndruar as Endrit Thaçi djali i ish-presidentit Hashim Thaçi i cili ka publikuar një fotografi kur babai i tij ishte nënshtruar një operimi në QKUK.
“Krenar me mjekët, respekt për punën dhe përkushtimin e tyre”, ka shkruar Endrit Thaçi.
Për operimin e Thaçit në prill të vitit 2020 ishte lëshuar edhe një komunikatë për media ku ishte treguar se ai i ishte nënshtruar një intervenimi endourologjik në Klinikën e Urologjisë në SHSKUK.
“Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot pasdite i është nënshtruar një intervenimi kirurgjik endourologjik në Klinikën e Urologjisë në Shërbimin Spitalor Kliniko-Universitar të Kosovës. Sipas personelit mjekësor, operacioni ka qenë i suksesshëm dhe presidenti është nën kujdesin e vazhdueshëm të personelit mjekësor profesional”, thuhej në komunikatë.