Misioni i Bashkimit Evropian EULEX në Kosovë, në vazhdën e projekteve për mbjelljen e drunjve nëpër lokacione të ndryshme, të mërkurën në Kampusin e Qendrës së Studentëve ka bërë mbjelljen e disa fidanëve, raporton Ekonomia Online.
Kryesuesi i Misionit të EULEX-it, Lars Gunnar Wigemark, tha se ky aktivitet nuk ka për qëllim vetëm zbukurimin e ambientit, por edhe ndalimin e ndotjes.
Madje sipas tij, Kosova është e përkushtuar në përmbushjen e starteve për mbrojtjen e mjedisit. Duke përmendur planin që të mbillen 1 milion fidanë në gjithë vendin ai pati një mesazh për diasporën kosovare.
Ai tha se llogaritet që 1 milion kosovarë jetojnë jashtë vendit dhe po që se ata do të mbillni nga një fidan do të arrihej synimi i vënë nga institucionet.
“Kosova është e përkushtuar për përmbushjen e standardeve për mbrojtjen e mjedisit. Ky aktivitet nuk ka për qëllim vetëm mbjelljen e drunjve, por edhe ndalimin e emetimit të gazrave”.
“Plani është të mbjellim 1 milion fidanë dhe ju keni 1 milion persona që jetojnë në diasporë nëse ata do të mbillnin nga një fidan do të mbërrinim këtë numër, pra ky është mesazhi im për diasporën”.