Gazetar | Lirim Shabani
Kryetari i komunës së Tetovës Bilall Kasami ka “mohuar” veten e tij, duke deklaruar që nuk e ka shkarkuar ish-drejtoreshën e gjimnazit të Tetovës, Teuta Llalla. Kasami dha këtë deklaratë gjatë përmbylljes së punimeve të realizuara në rrugën afër urës së vjetër të gurrit në Tetovë, shkruan Nistori.
I pyetur nga Nistori nëse është rikthyer apo jo Teuta Llalla në postin e drejtoreshës, Kasami tha se:
“Komuna nuk e ka shkarkuar Teuta Llallën, këshilli i shkollës, në bazë të mbledhjes dhe të gjitha procedurave, ka kërkuar nga kryetari i komunës që të veprojë konform ligjit. Sigurisht në shkallën e dytë ka një vendim për të cilin këshilli i shkollës përsëri ka vendosur propozimin konform sugjerimeve që i janë dhënë, edhe pas vendimit të inspektoratit, konform vërejtjeve të shkallës së dytë, jo të inspektoratit, ku është ankuar Teuta Llalla, ka mbajtur përsëri këshilli i shkollës mbledhje dhe ka pru vendim për të cilin Teuta Llalla është e informuar, pra duhet të respektohen të gjitha procedurat ligjore që shkolla e mesme, gjimnazi të jetë me një drejtor i cili do të jetë në shërbim të nxënësve, të dijes, të qytetarëve.
Mirëpo në arsyetimin e Aktvendimit të datës 12 maj 2022 të komunës së Tetovës thuhet:
Drejtori i deritanishëm Teuta Llalla në bazë të propozimit të Këshillit të SHMK “Kiril Pejçinoviq”, Tetovë, nr. 03-201/1 të datës 11.05.2022, nga ana e kryetarit të komunës së Tetovës Bilall Kasami, shkarkohet nga ky post.
Nëse nuk është shkarkuar Teuta Llalla, atëherë si u caktua Hatije Etemi si ushtrues detyre? Kush do të konsiderohet përgjegjës për shkeljet ligjore të bëra?
Portali Nistori ka siguruar dokumente ekskluzive të cilat vërtetojnë se ka filluar ripërsëritja e procedurave të shkarkimit të ish-drejtoreshës Llalla.
Pas shkarkimit të saj, Teuta Llalla ishte ankuar në Komisionin e Shkallës së Dytë për Vendimmarrje në Procedurë Administrative dhe Procedurë të Marrëdhënies së Punës. Nga dokumentacioni që zotëron Nistori, kuptohet se komisioni ka pranuar ankesën e saj, ndërkaq ka shlyer aktvendimin e datës 12 maj 2022 të komunës së Tetovës dhe ka kthyer procedurën në organin e shkallës së parë. Sipas të dhënave të Nistorit, Shkalla e dytë ka vendosur mes datës 7 dhe 14 qershor 2022. Veç kësaj, edhe Inspektorati Shtetëror i Arsimit kishte arritur në përfundimin se shkarkimi i Teuta Llallës ishte bërë në mënyrë të jashtëligjshme.
Për të qartësuar situatën, Nistori kontaktoi zëvendëskryetarin e Këshillit të shkollës, Emri Ziberin, i cili refuzoi të përgjigjet në lidhje me përsëritjen e procedurës së mbledhjes këshillit, që duhet t’i paraprijë shkarkimit të mundshëm të një drejtori në gjimnaz. Edhe dokumenti i nënshkruar nga Emri Ziberi i drejtohet Teuta Llalla në cilësinë e drejtoreshës. Mirëpo, Llalla deklaron që është shkarkuar një herë padrejtësisht dhe se nuk ka marrë ndonjë njoftim apo aktvendim, as për rikthimin e saj si drejtoreshë, as për të marrë pjesë në mbledhje të këshillit të shkollës, ashtu siç e përcakton ligji.
Arsyetimi më i ri i Këshillit të shkollës bazohet në revizionin e muajit maj të vitit 2022 të kryer në gjimnazin “Kiril Pejçinoviq” të Tetovës. Arsyetimi thekson që gjimnazi ka pasur llogari bankare të bllokuar. Nistori kontaktoi firmën Nerasht Company dhe mori sqarimet rreth çështjes së procedurës së përmbarimit ndaj gjimnazit. Kjo kompani sqaroi që borxhi i gjimnazit është shlyer, gjatë periudhës që drejtoreshë ka qenë Teuta Llalla. Sipas të dhënave të Nistorit, deri te shlyerja e këtij borxhit ka ardhur me zgjedhjen e Teuta Llallës si drejtoreshë, e cila gjimnazin e ka marrë me llogari bankare të bllokuar. Me punën e saj, arriti të sigurojë mbështetje edhe nga Qeveria dhe të çlirojë gjimnazin nga borxhi i madh, rrjedhimisht edhe të zhbllokojë llogarinë bankare të gjimnazit. Sipas këtyre të dhënave, gjimnazi ka pasur një borxh prej rreth 20 milionë denarësh borxh dhe drejtoresha, tashmë e shkarkuar, Teuta Llalla shleu rreth 20 milionë denarë brenda 10 muajve dhe të gjitha investimet në shkollë janë bërë pa krijuar borxhe të reja. Investimet kapin shumë prej 9 milionë denarësh.
Sipas informacioneve të Nistorit, familja Llalla do të hedhë në gjyq anëtarët e Këshillit të shkollës për shpifje me prapavija politike, dëmtim të imazhit, etj. /Nistori/