Propozime nga somelieri Fation Tila
10 rekomandime për verën shqiptare në tryezën e festës (ky është një mendim i pavarur i somelierit).
Propozimi i parë
Vera më interesante e këtij viti është Serina e Zezë 2016 nga Kantina Nurellari, Berat. Është një nismë e rëndësishme që kjo kantinë ka ndërmarrë vitet e fundit, ajo te fokusimi te varietetet autoktone të zonës, me bindjen se këto varietete kanë potencial të madh dhe do të jenë e ardhmja e vreshtarisë shqiptare.
Kjo verë prodhohet në sasi të limituar, duke i kushtuar kujdes të madh së pari në vresht, duke bërë një përzgjedhje të rrushit, por edhe në kantinë, ku rrushi para se të fermentohet kalon një proces tharjeje prej 20 ditësh, për të përqendruar elementet, dhe më pas, është vjetruar për 12 muaj në fuçi të reja lisi. Rezultati është një verë potente, e errët, me aromë frute të pjekur dhe ende shumë e re për t’u shprehur maksimalisht.
Çmimi i shitjes me pakicë i kësaj etikete varion 3000-3300 lekë.
Propozimi i dytë
Është vera e një prodhuesi të vogël por me vizion. I referohemi verës Caberlot 2017 nga Kantina Balaj, Vlorë.
Vëllezërit Artan dhe Sokol Balaj janë njeri agronom, i cili prodhon fidanë dhe tjetri shef kuzhine, me një pasion të madh për verën.
Caberlot është një varietet që lind nga kryqëzimi në vresht i Cabernet Sauvignon dhe Merlot dhe shprehet i plotë në shije, i thatë dhe me një profil aromatik të freskët ku mbizotërojnë lulet dhe aroma e kumbullës. Edhe kjo verë kërkon mish në tavolinë.
Çmimi me pakicë i kësaj vere varion 1300-1500 lekë.
Propozimi i tretë
Është një zgjedhje klasike për faktin se tashmë bën pjesë prej vitesh te verërat cilësore shqiptare. Po flasim për Kallmet Rezerve 2015 Kantina Arbëri.
Kjo kantinë prodhon vetëm varietete autoktone dhe ndër vite ka ditur të prezantojë më së miri një nga varietetet më interesante shqiptare. Kallmeti është elegant, disi transparent dhe në shije shprehen frutat e kuqe të freskëta si mjedra, molla stërkinge dhe qershia. Vjetrohet për 12 muaj në fuçi lisi francez dhe më pas në shishe. Është interesant dhe fakti që në kantinë mund të blihen verë të viteve të mëparshme që na ndihmojnë të kuptojmë dhe aftësinë e vjetrimit të këtij varieteti. Këshillohet me gatime jo të rënda.
Çmimi me pakicë i kësaj vere varion nga 1500-1700 lekë.
Propozimi i katërt
I rikthehemi Kantinës Nurellari me një tjetër varietet autokton, Pulsi i Beratit. Kjo verë është elegante, si në aromë, ashtu edhe në shije. Ndihet aroma e çamçakëzit, kripshmëria e tokës dhe freskia e malit të Tomorit.
Çmimi me pakicë i verës varion 1300-1500 lekë.
Propozimi i pestë
E kemi kaluar kufirin me një verë të Kosovës, nga Suhareka: She Wine Roze 2016 nga Suhareka Verari. Kjo verë prodhohet kryesisht me varietetin Franconia (autokton i Austrisë, por prej dekadash i kultivuar në Kosovë) dhe një përqindje të vogël Muscat Hamburgu. Është një verë me trup solid, shumë e shijshme dhe për ata që nuk kanë besim te verërat e Kosovës ose te roze-të, duhet ta provojnë. Pjatat e para si pasta ose risoto janë miqtë e tavolinës të kësaj vere.
Çmimi i shitjes me pakicë i verës është 3000 lekë.
Propozimi i gjashtë
Është për një verë “bazë” e prodhuar nga Kantina Belba në Kavajë, por vreshtat janë në Golem. Është verë e Kuqe Kavaljon, viti 2017, e përbërë nga tre varietete: Sangiovese, Montepulciano dhe Merlot. Është komplekse në aromë, për një verë të thjeshtë, mesatarisht e plotë në shije, e thatë dhe me një karakter të bukur në pikën e saj të harmonisë. Çmimi i shitjes me pakicë i kësaj vere është 800-1000 lekë.
Propozimi i shtatë
Vendosa të propozoj Kantinën Kokomani me verën më pak të famshme të saj, Sheshin e Bardhë 2017. Para disa muajsh provova këtë verë, e cila ka bërë një fermentim për disa ditë me lëkurat dhe më pëlqeu trupi që kishte marrë dhe freskia e saj. Të them të drejtën e shijova. Blerim Kokomani është nga prodhuesit e palodhur shqiptarë dhe nga kantinat e para cilësore.
Çmimi i shitjes me pakicë i kësaj vere është 1200 lekë.
Propozimi i tetë
Kantina Alimani është një kantinë e re në treg dhe duhet të gjejë ende identitetin e saj, por themeluesit janë të rinj dhe sjellin në Shqipëri përvojën përfituar në Itali, sidomos vëllai i madh, Rezarti. Ndërkohë që presim surpriza të mëtejshme, ju prezantoj me verën e tyre më të rëndësishme, Merlot Rezerve 2016. Vreshtat janë në Durrës dhe vera ka bërë një vjetrim prej 18 muajsh në fuçi lisi. Në shije është e plotë, e rrumbullakët, me tulin e merlot-it që ndihet dhe me aroma të tymosura të drurit. Duhet pritur ende dhe kuptohet ka vend për përmirësim, por për kaq pak kohë unë do të thoja Chapeau.
Çmimi i shitjes me pakicë i kësaj vere është 1800 lekë.
Propozimi i nëntë
Sheshi i Zi nuk mund të mungonte dhe unë kam zgjedhur atë të Kantinës Herta, Maminas. Jemi mësuar që vera e mirë, me patjetër duhet të vjetrohet në dru, por jo gjithmonë kjo është e vërtetë. Kjo kantinë ka dalë me një Shesh të Zi 2016, me një vjetrim vetëm në inoks dhe prandaj më pëlqen pasi arrijmë të dallojmë aromat e freskëta të luleve, një frutë krokante dhe një verë që do të ishte më mirë e shërbyer pak e freskët. Nuk ka shumë trup, por kush thotë që duhet të ketë medoemos?
Çmimi i shitjes me pakicë i kësaj vere është 1500 lekë.
Propozimi i dhjetë
Në mbyllje kemi një Shiraz 2016, të prodhuar nga Vreshti i Pashait në luginën e Sarandaporit, në Leskovik. E këshilloj sepse është e veçantë në profilin aromatik duke qenë më barishtor, gjithashtu dhe i lehtë në trup. Syrah ose Shiraz është një varietet që ka erëzat dhe frutat e pyllit si karakteristikë aromatike, kurse këtu shprehet me aromat e çajit të malit dhe në shije të kujton gjethen e ullirit.
Çmimi i shitjes me pakicë varion nga 1000-1200 lekë.
Në treg gjejmë verëra të tjera interesante që mund të ishin pjesë e kësaj renditjeje por përzgjedhja ishte për verëra të mira dhe me çmime ekonomike.