Jo rrallëherë në rastet e dhunës në familje janë të përfshirë edhe fëmijët, të cilët për shkak të mosmarrëveshjeve me njëri-tjetrin përfundojnë në Polici. Një rast i tillë ka ndodhur edhe të dielën në Gjakovë, në rrugën “Minatori”, raporton Sinjali.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se Prokuroria është vënë në dijeni për këtë rast pas denoncimit të një 16-vjeçari, i cili i ka raportuar motrat e tij për dhunën që kanë ushtruar ndaj tij.
Në dëshminë e të miturit të dhënë para hetuesve policorë thuhet se tri motrat e tij, 20-vjeç, 18 dhe tjetra 15-vjeç e kanë keqtrajtuar fizikisht dhe i kanë shkaktuar dhunë psikike.
Sulmi fillimisht ka nisur nga njëri prej motrave, e cila i kishte kërkuar të vëllait të zgjohet nga shtrati, me arsyetimin se po kundërmon erë. Por jo vetëm kaq, si “arsyetim” për ta rrahur vëllain, ajo i ka thënë se i njëjti ia ka veshur rrobat e reja, çka e ka mllefosur të dyshuarën.
Në mbrojtje të motrës, kanë dalë edhe dy motrat tjera, të cilat gjatë përleshjes kanë pësuar lëndime trupore.
Si rezultat i denoncimit, Policia ka arrestuar tri të dyshuarat dhe ndaj tyre kanë nisur hetimet për “dhunë në familje”.