Ylli egjiptian i Liverpoolit, Mohamed Salah, do të mund të luajë në ndeshjet kundër Arsenalit dhe Manchester Cityt, pasi që Federata e Futbollit të Anglisë ka vendosur që të mos e dënojë atë për incidentin që e shkaktoi një penallti.
Sulmuesi i Liverpoolit arriti ta fitojë një penallti në ndeshjen e djeshme kundër Newcastleit në Anfield, të cilën vendasit e fituan me rezultat 4-0. Salahu u tregua i saktë nga pika e penalltisë, duke e shënuar golin e dytë të ndeshjes, transmeton Gazeta Express.
Megjithatë, akordimi i penalltisë ngjalli shumë debat pasi që videot e marra nga ai incident sugjeronin se Salahu kishte simuluar, pasi që mbrojtësi Paul Dummett vetëm ai preku dorën e tij dhe nuk kishte ndonjë ndërhyrje të palejueshme.
Ish-gjyqtari, Mark Halsey, kishte kërkuar që Salahu të suspendohet për dy ndeshjet e radhës pasi që ai e kishte mashtruar gjyqtarin e ndeshjes. Megjithatë, Federata e Futbollit të Anglisë ka vendosur që të mos e dënojë egjiptianin.
Liverpooli tani është në krye të tabelës së Premierligës dhe për shkak të disfatës së dytë radhazi që e mori Manchester City dje, tani djelmoshat e Jurgen Kloppit janë plot shtatë pikë larg Cityt në vend të dytë.