Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit nga Gjykata kompetente në Gjakovë, ndaj të pandehurit Sh. Th., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”.
Sipas një njoftimi për media thuhet se prokuroria njofton se, më 31 maj 2022, në Komunën e Rahovecit, në shtëpinë e tyre të përbashkët, i pandehuri Sh. Th., shkakton dhunë në familje, përkatësisht i shkakton lëndime trupore të dëmtuarës, bashkëshortes së tij E.B.
Tutje në njoftim bëhet e ditur se pas mosmarrëveshjeve të vazhdueshme me të dëmtuarën, dhe pas një fjalosje që kishin pasur të njëjtën ditë rreth higjienës së shtëpisë, i pandehuri e sulmon fizikisht të dëmtuarën duke e goditur me grushte mbrapa në veshin e djathtë, në krahun e majtë si dhe në shpinë, ku si rezultat i këtyre goditjeve e dëmtuara pëson lëndime trupore.
“Prokurori i rastit ndaj të pandehurit Sh. Th., ka kërkuar masën e paraburgimit në afat prej 30 ditësh. I pandehuri, me urdhër të prokurorit gjendet në ndalim nga data 01 maj 2022”, thuhet në njoftim.