Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka dhënë dje sinjale se Greqia mund ta njohë Kosovën. Por, kur mund të vie njohja nga ky shtet?
Në një intervistë për RTK’në, Konjufca ka deklaruar dje se njohja e Kosovës nga Greqia nuk është e largët.
Deklarata e tij erdhi pas takimit me Kryeparlamentarin e Greqisë, Konstantinos Tasoulas.“Pas takimit me Kryeparlamentarin e Greqisë Tasoulas, u binda që njohja nuk është shumë e largët e këtj shteti për Republikën e Kosovës”, tha Konjufca për RTK’në.
Konjufca foli edhe për raportet në mes të këtyre dy shteteve.
“Sa i përket relacioneve ndërshtetërore ne me Greqinë kemi relacione gjithçka përmos formalizimit të njohjeve. Pra nëse e sheh se si ata pranojnë edhe institucionet dhe ata përfaqësuesit shtetëror më të rëndësishëm të shtetit të Greqisë vijnë në Kosovë dhe ne i presim me pritje shtetërore, me të gjitha procedurat që i ka pritja shtetërore dhe këtë nuk e kanë problem si përfaqësues të institucioneve të Greqisë.
Në anën tjetër e kemi zyrën tonë, që në çdo aspekt funksionon si Ambasadë përveç që nuk quhet Ambasadë dhe pastaj kjo implikon edhe disa le të themi, pasoja tjera, mirëpo edhe ata e kanë përfaqësuesin e tyre në Kosovë të cilit ne i themi Ambasador, ata nuk e quajnë ambasador por ne kështu i themi për shkak se e dijmë që një ditë do të kemi Ambasadën dhe të gjitha këto, gjithmonë përpiqemi që nëpërmjet bashkëpunimit, përmes afrimit në mes të shteteve tona të vijmë deri te hapi i fundit e që është njohja formale e Republikës së Kosovës nga ana e Greqisë”, tha Konjufca.