Sot ka nisur edicioni i pestë i Javës së Zhvillimit të Qëndrueshëm (KSDW) 2022, e cila mbetet ngjarja më e madhe për zhvillim të qëndrueshëm në Kosovë dhe në rajon. Tema e sivjetme e KSDW do të jetë agjenda e gjelbër për Ballkanin Perëndimor.
Presidentja Vjosa Osmani në pamundësi për të marrë pjesë, iu është drejtuar të pranishmëve përmes video-lidhjes. Ajo tha se për shkak të zhvillimeve në Ukrainë sot ka nevojë për gjetjen e një zgjidhjeje të shpejtë për të mos kompromentuar sigurinë e furnizimit me energji elektrike.
“Ky vit na gjen në një situatë ndryshe në kontinentin tonë, si pasojë e luftës në Ukrainë, kontinenti ynë e jo vetëm po përballet me pikëpyetje të shumta. Në një situatë ku kemi nevojë për zgjidhje të shpejta për të mos kompromentuar sigurinë e furnizimit me energji, përballemi paralelisht edhe me obligimin për t’u siguruar që zgjidhjet tona të sotme nuk i rrezikojnë ambiciet tona për dekarbonizim në të ardhmen. E vetmja mënyrë se si mund t’ia dalim me sukses është përmes bashkëpunimit, bashkërendimit dhe komunikimit të rregullt e të koordinuar”, tha ajo.
E para e vendit theksoi se Kosova ka më shumë nevojë për energji të gjelbër dhe se ka nevojë për investime në eficiencë të energjisë dhe ruajtjen e mjedisit.
“Gjërat do të jenë shumë ndryshe në dhjetë vjetët e ardhshëm. Do të ketë teknologji të reja, skenarë të rinj e koncepte inovative të zhvillimit. Ne e kemi për obligim që të sigurohemi që shoqëria jonë është e gatshme të përqafojë këtë dinamikë të hovshme të zhvillimit…Unë vërtet besoj në Agjendën e Gjelbër dhe të ardhmen e gjelbër. Jam e bindur që kjo do të bëhet gjithnjë e më shumë realitet nga dita në dite… Kosova jonë ka më shumë nevojë për energji të gjelbër, investim në eficiencë të energjisë, trajtim të qëndrueshëm të mbeturinave e zvogëlim të sasisë së prodhimit të tyre, mjedis të mbrojtur, qytete të jetueshme, por mbi të gjitha Kosova ka nevojë për ajër të pastër”, tha ajo.