Mbi 1 mijë e 200 profesionistë shëndetësorë që u angazhuan si staf mbështetës në menaxhim të pandemisë COVID-19, të cilët nuk janë paguar prej rreth tre muaj, thonë se nuk kanë asnjë informacione se pse po ndodh një gjë e tillë. Nga Oda e Infermierëve të Kosovës, por edhe Komisioni Parlamentar për Shëndetësi shprehen të shqetësuar për këto mospagesa. Ata këtë veprim të Ministrisë së Shëndetësisë po e konsiderojnë si brengosës dhe demotiviuese për mjekët dhe infermierët e rinj.
Ilirjan Ademaj, prej shtatorit është angazhuar si infermier në repartin intensiv në Kliniken Infektive. Ai thotë se duke llogaritur edhe muajin maj, bëhen tre muaj që nuk kanë marr asnjë centë për shërbimet qe ofrojnë.
Duke folur për mikrofonin e KosovaPress, ai thotë se përkundër që ata punojnë pa pagesë shtesë për vikende, kujdestari e festa, edhe pagën minimale që u është ofruar nuk po e marrin.
“Ne kemi dy muaj të plotë që nuk jemi paguar tash jemi edhe në përfundim të pothuajse muajit të tretë dhe nuk kemi asnjë informacion sa i përket pagave edhe pse ne kemi pranuar të punojmë edhe në ndërrim të natës pa pagesë, punojmë vikendit dhe festave pa pagesë tash mos marrja e këtyre pagave minimale të themi ashtu vërtetë që ka qenë e tepërt…. Ka qenë fatkeqësi sepse nuk e dimë se a po konsiderohemi si profesionistë publikë apo privatë sepse ne nuk po hyjmë në asnjë kategori dhe nuk i kemi marr ato shtesa”, u shpreh ai.
Ademaj thotë se përkundër insistimit të tyre për të kuptuar se çfarë po ndodhë, Ministria e Shëndetësisë nuk iu ka kthyer përgjigje.
Ai shton se si pasojë e mos dhënies së pagave shumë prej infermierëve të angazhuar janë detyruar ta lënë shërbimin dhe të gjejnë punë tjetër pasi mbajnë familje dhe kanë shpenzime.
“Kërkesat kanë qenë të vazhdueshme dhe kemi marr një iniciativë grupore ku kemi shkuar te Ministria e Shëndetësisë, por nuk kemi marr asnjë përgjigje sa i përket asaj se çka do të ndodh me neve, për pagat… Shumë prej neve edhe udhëtojnë apo ndoshta edhe mbajnë edhe familje dhe për shkak se nuk janë paguar janë detyruar të fillojnë një punë tjetër dhe pastaj janë detyruar ta lejnë këtu”, theksoi Ademaj.
Ky veprim i Ministrisë së Shëndetësisë nuk po i pëlqen fare Odës së Infermierëve të Kosovës.
Kryetari i Odës së Infermierëve të Kosovës, Naser Rrustemi thotë për KosovaPress se është shqetësuese se si infermierët që sakrifikuan veten gjatë ditëve të vështira të pandemisë tash nuk po paguhen për mundin e tyre.
Edhe Rrustemi konfirmon se tashmë disa prej tyre janë detyruar ta lënë punën, ndonëse arsyet thotë se nuk i dinë si OIK se përse MSh nuk po i paguan këta mbi 1 mijë e 200 profesionistë shëndetësorë.
“Ka dy muaj që nuk i kanë marr pagat edhe pse kanë nënshkruar një kontratë, arsyet ne nuk i dimë dhe nuk kemi informacione… edhe për mua por edhe për ta është mjaftë shqetësuese dhe demotivuese për shkak se të punosh dy muaj dhe të mos e marrësh pagë normal veçse kanë filluar ta lëshojnë (punën), vetëm dje një e ka lënë punën ka thënë se ‘unë nuk kam para as për të ardhur në punë, as për transport. Kështu që një pjesë e tyre veç kanë filluar ta lëshojnë punën, kështu që është shqetësuese”, u shpreh ai.
Në anën tjetër anëtari i Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj shprehet se qasja ndaj punëtorëve shëndetësorë nuk është serioze.
Duke kërkuar që menjëherë të ekzekutohen pagat, Dreshaj i cili është edhe infektolog në Klinikën Infektive në QKUK thotë se pandemia ende nuk ka përfunduar dhe nevoja për këta mjekë e infermierë është evidente.
“Qasja ndaj punëtorëve shëndetësorë në veçanti nuk është serioze nga ana e Qeverisë arsyeja është se ne ende jemi në pandemi. Pra, ende evidentohen raste të reja ende kemi raste aktive, njëkohësisht në situatën kur vendet e ndryshme të lindjes së largët veçse kanë filluar që të mbyllet prapë kemi lockdoën në Korenë e Veriut dhe vende të tjera. Në këtë situatë të tillë është joserioze që punëtorët të cilët janë ballafaquar gjatë tërë pandemisë të lihen të papunë… Kjo është vërtetë për t’u brengosur, ata meritojnë për angazhimin që kanë pasur që të jenë të paguar, pra ajo është punë e tyre që e kanë bërë dhe për këtë obligohet MSh që në afat sa më të shpejt të bëjë kompensimin e këtyre mjeteve të cilat nuk janë paguar deri më sot”, tha Dreshaj.
E për gjithë këto telashe nga Ministria e Shëndetësisë kanë një përgjigje të shkurt.
Nga ky dikaster përmes një shkrese për KosovaPress, thotë se në vazhdimësi po i shqyrtojnë mundësitë për pagesat e stafit mbështetës shëndetësor të angazhuar gjatë pandemisë COVID-19.
“Ministria e Shëndetësisë së Republikës së Kosovës, në vazhdimësi është duke u përpjekur dhe duke shqyrtuar çdo mundësi për pagesat e punëtorëve shëndetësor, apo stafit mbështetës të punësuar gjatë pandemisë COVID-19”, thuhej në përgjigjen e MSh-së.
Lidhur me mos ekzekutimin e pagave të mjekëve dhe infermierëve që u angazhuan nga MSh për menaxhim të pandemisë, por edhe në procesin e vaksinimit anti-COVID, KosovaPress ka kërkuar përgjigje edhe nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, por këta të fundit nuk kanë kthyer ndonjë përgjigje.
Mbi 1 mijë e 200 profesionistë shëndetësorë nga shtatori u angazhuan në menaxhim të pandemisë por në vazhdimësi kanë shprehur telashet për mos pagesa të rregullta./Lajmi.net/