“Si ukrainasit edhe shqiptarët po i përjetojnë njësoj tmerret e luftës. Ajo që kishim në dorë për të bërë e kemi bërë. Ne kemi dërguar ndihma humanitare në Ukrainë në Zaporizha aty ku ka dhe shqiptarë. Ne mendojmë se shqiptarët e Ukrainës janë ajo ura lidhëse që thellon edhe më shumë marrëdhëniet mes 2 vendeve”.
Kështu u shpreh ambasadori i Ukrainës në Tiranë Volodymyr Sshkurov gjatë një interviste në emisionin “Ballkan” në Abc.
I pyetur se si ndihet në lidhje me faktin se ambasada ukrainase në Tiranë është e mbushur me flamuj ukrainas ndërkohë që afër saj është dhe ambasada ruse, Shkurov nuk e mohoi se e bën të ndihet mirë.
“Jemi shumë mirënjohës ndaj bashkisë së Tiranës. Është një mënyrë që i përgjigjet në mënyrën më të duhur vëllazërisë mes Tiranës dhe Kievit. Situata mbetet e vështirë, por pas mbështetjes së perëndimit situata po ndryshon. Khersoni është i vetmi qytet në duar të armikut”.
Po hetoni krimet e luftës në kohë rekord. Si po ecën puna?
“Stafi i prokurorisë së Ukrainës po regjistrojnë krimet e luftës. Është krijuar bashkëpunim edhe me gjykatën ndërkombëtare. Ajo duhet të marrë një vendim në kohë të shpejtë. Kush ka dhënë urdhëra dhe kush i ka zbatuar do të mbajë përgjegjësi. Vendimi do jepet nga gjykata sa i përket krimeve të luftës. Janë shumë raste të regjistruara të vrasjeve të civilëve”.
I pyetur nëse do të ndihej i lumtur nëse Ukraina do të kishte fqinje Shqipërinë dhe jo Rusinë, Shkurov tha se popujt e dy vendeve do kanë gjëra të ngjashme.
“Mes dy popujve tanë shikoj shumë gjëra të ngjashme. Populli është shumë i prekur dhe i ndjeshëm ndaj dhimbjes së të tjerëve. Kohët e fundit deri vonë në Ukrainë nuk kanë qenë informacione të shumta sa i përket Shqipërisë. Në të ardhmen na presin marrëdhënie të mira miqësore. Këto komente kanë të bëjnë me pjesën humane të popullit shqiptar”./Abcnews.al