Në dokumentet të cilat RTK i posedon shihet se Nazim Bllaca ishte i rekrutuar nga organet serbe të sigurisë konkretisht UDB-së, qysh në fillim të vitit 1997. Në fakt propozimi ishte bërë në nëntor të vitit 1996.
Ai para se të dal në shesh në vitin 2009, ishte trajnuar për shumë vite nga strukturat e larta të shërbimit sekret serb. Ai gjatë një përgjimi me prokurorin serb tregon se do të dal me një rollkë të zezë dhe do t’ia bëj televizionit me gisht. Gjithashtu do t’i marr 300 mijë euro dhe do t’i mbyllë 20 persona në burg. Ai poashtu tregon se mund t’i marr 300 mijë euro nga tri parti opozitare. Pas këtij komunikimi ai del në shesh të Prishtinës në vitin 2009. VIDEO 35min
Opinioni ka dëgjuar shumë për të bëmat e personit që me akuzat e tij të bëra publikisht në fund të nëntorit të vitit 2009 çoi në dënimin me mbi 80 vite burgim të atyre që ai i quante bashkëpunëtorë në krime.
Por, faktet që i ka siguruar emisioni Udhëve në RTK, zbardhin shumë gjëra dhe anën tjetër, deri më tani, thuajse të panjohur të Nazim Bllacës, e cila më pastaj qartëson raportet e tij më shërbimet serbe të sigurisë, UDB-në, e më pastaj edhe BIA-n serbe dhe më vonë edhe me prokurorinë për krime lufte në Serbi si dhe me futjen në lojën e komunikimit me Serbinë edhe të prokurorëve të Eulexit.
Dy vite para se të dilte në shesh, Nazim Bllaca kishte dhënë deklarata për dhjetë orë rresht para prokurorit serb Dragoljub Stankovic.
Deklaratat e nënshkruara nga Bllaca janë siguruar nga emisioni Udhëve, bashkë me shumë audi-incizime, ku Bllaca flet në zyrat e Ministrisë së Punëve të Brendshme në Beograd.
Pas këtyre deklaratave të Bllacës, të dhëna fillimisht në Beograd, u zhvilluan tri procese gjyqësore të ndara. Të gjitha në opinion u njohën si “Rasti Bllaca 1, Bllaca 2, dhe Bllaca 3”.
Në rastin Bllaca 1, Gjykata e Qarkut në Prishtinë në përbërje të një paneli gjyqtarësh të EULEX-it ka dënuar me 18 vjet burg Fahredin Gashin, nën akuzat për vrasjen e Salih Gashit, më 15 qershor 1999, në fshatin Varigovc të Lipjanit. Me 6 muaj burgim me kusht është dënuar Hysri Rama, për veprën penale të dhënies së ndihmës kryerësit, pas kryerjes së veprës penale.
Ndërkohë, në rastin Bllaca 2 do të shqiptohen 54 vjet burg për 5 të pandehur.
Gjykata e Qarkut në Prishtinë dënoi Sadik Abazin me 12 vjet burg, Driton Hajdarin me 7 vjet burg, Bekim Sylën 12 vjet, Shaban Sylën 8 vjet dhe Shpresim Ukën me 15 vjet burgim.
Dënimi u shqiptua për vrasjen e Ibush Kllokoqit dhe vrasjen në tentative të ish zv.kryeministrit Adem Salihaj si dhe Ismet Arifit, aktivist i LDK-së.
Më 19 korrik 2013 përfundoi gjykimi i njohur si Bllaca III ku i pandehur ishte vet Nazim Bllaca. Ai u shpall fajtor për vrasjen e Ibush Kllokoqit në natën e 6 gushtit 1999 dhe u dënua me katër vjet e gjashtë muaj burg. Dënimi i shqiptuar është minimal, dhe kjo ndodhi sipas kërkesës së prokurorit special të Misionit Europian për Sundim të Ligjit, Maurizio Salustro.
Nazim Bllaca përmend qindra persona nga Kosova, ish ushtarë të UÇK-së, në një dosje prej qindra faqesh ku ai i nënshkruën në krye dhe në fund të secilës faqe.
Prokurori i Eulex-it Mauricio Salustro siaps raportimeve të mediave ka vazhduar punën në Prokurorinë për Krime Lufte në Serbi si këshilltar kryesor i zv.kryeprokurorit serb për krime lufte.
Qindra skica të hartuara, audio-incizime dhe emra të strukturave të larta të UÇK-së dhe SHIK-ut, të përmendur në Beograd nga Bllaca, emisioni Udhëve nuk i ka publikuar për shkaqe etike- profesionale./Gazetapapirus.Com/