Gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është pritur në takim nga kryeshefja e Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), Alice Albright.
Ish-deputeti Visar Ymeri, ka thënë se prej vizitës së kryeministri Kurti në SHBA pritjet janë të larta.
“Së pari nuk është se ka pasur shumë njoftime se çfarë do të bëjë kryeministri atje. Takimin e vetëm që kemi parë është ai me shefen e MCC-së, që e vlerësoj shumë se është një projekt i rëndësishëm”, ka thënë Ymeri.
Ymeri ka thënë se marrëveshja për akumulimin e energjisë që Kurti ka nënshkruar me MCC-në është shumë e mirë.
“Marrëveshje për kapacitetet akumuluese për energjinë elektrike do të zgjidhnin një pjesë të mirë të problemeve që kemi veçanërisht me dallimin në konsum që kemi gjatë ditës dhe natës. Kjo është marrëveshje e mirë. Nuk po them që është mirë që jemi tërhequr nga marrëveshja për gazin, por pjesa tjetër e marrëveshjes për kapacitetet akumuluese është shumë e mirë”.
Ai megjithatë thotë se pritjet nga vizita e Kurtit janë më të mëdha se deri më tani që është parë.
“Për vizitën e Kurtit në SHBA, nuk është se dimë më shumë. Dje ka njoftuar se sot do të jetë në San Francisko ku do të takohet me disa kompani që merren me fushën e teknologjisë, që janë takime të nevojshme dhe të frytshme mund të jenë, por prej një vizite të kryeministrit natyrisht që presim më shumë. A do të kemi më shumë, nuk e di”, shtoi Ymeri.