Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, kur i është nënshtruar operacionit në Antali për heqjen e peshës së tepërt, nuk ia ka deleguar detyrat e postit të saj Kryetarit të Kuvendit.
Një prej gazetave më të mëdha turke “Hurryiet” ka raportuar se Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i është nënshtruar një operacioni në Antali për heqjen e kilogramëve të tepërt. Ajo kishte qëndruar për një kohë në një hotel me 5 yje në Antalia dhe pas operacionit gastroektomik ishte kthyer në Kosovë, përcjell Demokracia.com.
Sipas këtij artikulli, operacioni ishte kryer nga anëtari i Fakultetit të Universitetit Akdeniz, Ajhan Mesci.
Ky intervenim, siç ka mësuar Demokracia.com, ishte kryer në verën e vitit të kaluar kur Osmani kishte udhëtuar drejt Turqisë dhe kishte qëndruar atje nga 3-16 gusht.
Megjithatë, bazuar në nenin 90 të Kushtetutës së Kosovës, e cila rregullon edhe çështjen e “mungesës së përkohshme të presidentit”, thuhet se në rast se Presidenti i Republikës së Kosovës përkohësisht nuk është i aftë për të përmbushur përgjegjësitë e tij/saj, ajo/ai mund t’ia kalojë vullnetarisht detyrat e postit të tij/saj, Kryetarit të Kuvendit, i cili do të jetë ushtrues i detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës.
Sipas këtij neni, urdhri i presidentit për kalimin e përgjegjësive duhet të përmbajë veçanërisht arsyet dhe kohëzgjatjen e kalimit të përgjegjësive, nëse ka njohuri për to.
“Neni 90 [Mungesa e Përkohshme e Presidentit]
- Në rast se Presidenti i Republikës së Kosovës përkohësisht nuk është i aftë për të përmbushur përgjegjësitë e tij/saj, ajo/ai mund t’ia kalojë vullnetarisht detyrat e postit të tij/saj, Kryetarit të Kuvendit, i cili do të jetë ushtrues i detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës. Urdhri i Presidentit për kalimin e përgjegjësive duhet të përmbajë veçanërisht arsyet dhe kohëzgjatjen e kalimit të përgjegjësive, nëse ka njohuri për to. Presidenti i Republikës së Kosovës do të rifillojë ushtrimin e përgjegjësive kur të jetë në gjendje t’i ushtrojë përgjegjësitë, dhe kështu Kryetarit të Kuvendit i pushon posti i ushtruesit të detyrës së Presidentit.
- Në rast se nuk ka ndodhur kalimi vullnetar i përgjegjësive, Kuvendi i Republikës së Kosovës, pas konsultimit me konsiliumin mjekësor, me dy të tretat (2/3) e votave të të gjithë deputetëve vendos nëse Presidenti i Republikës së Kosovës është përkohësisht i paaftë për të ushtruar përgjegjësitë e veta. Kryetari i Kuvendit të Kosovës do të shërbejë si ushtrues i detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës derisa ajo/ai të bëhet i aftë që të rifillojë ushtrimin e përgjegjësive të Presidentit.
- Posti i ushtruesit të detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, nuk mund të ushtrohet për një periudhë më të gjatë se gjashtë (6) muaj”, thuhet në nenin 90 të Kushtetutës së Kosovës, përcjell Demokracia.com.
Shumë kushtetuta në botë e kanë të detyrueshëm delegimin e kompetencave të presidentit, në momentin që kreu i shtetit i nënshtrohet ndonjë operacioni me përdorim të anestezioni, pasi që përkohësisht konsiderohet i paaftë për t’i kryer detyrat e veta. /Demokracia.com/