Kërkesës së PDK-së në Kuvend që të formohet fillimisht komisioni hetimor parlamentar dhe më pas të vazhdojë seanca i janë bashkuar edhe dy partitë e tjera opozitare, LDK-ja dhe AAK-ja.
Shefi i GP të LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se partia e tij mbështet që seanca të vazhdojë aty ku ka mbetur, me themelimin e komisionit hetimor, transmeton Zeri.info.
“Ne mendojmë që Kuvendi duhet patjetër të themelojë komisionin e kërkuar. Kërkojmë që të vazhdojë seanca ku kemi mbetur në themelimin e komisionit dhe pastaj të hyjmë në fazën e tendencës për kthimin e normalitetit”, tha Gashi.
Po ashtu edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se e mbështesin kërkesën e pjesës tjetër të opozitës.
Ai ka thënë në seancë se janë të mërzitur me faktin se pozita kundërshton komisionin hetimor.
“Nuk e shohim të arsyeshme këtë sjellje të tillë. Vazhdimi me temat e rendit të ditës që janë sot do të merrte kuptim me themelimin e komisionit. Në emër të AAK-së deklaroj se do të marrim pjesë në votimin e gjyqtarëve të Kushtetueses”, ka thënë Haradinaj. /Zëri