Yuriy Glodan ishte larguar nga banesa duke lënë atje familjen e tij, pasi kishte shkuar për të blerë gjërat që u nevojiteshin. Në momentin që kishte dëgjuar për shpërthimet ai ishte nisur drejt pallatit, i cili po digjej.
Gjithçka kishte marrë fund, pasi ai gjeti trupin e bashkëshortes dhe nënës së saj të vrara nga raketat ruse. Ajo që është edhe më dramatike është foshnja tre muajshe, Kiara e cila gjithashtu humbi jetën.
Tashmë në Odesa tre breza kishin humbur jetën, ndërsa viktima të këtij sulmi mbetën edhe pesë persona të tjerë.
Glodan ishte në ndërtesën e shkatërruar për të gjetur atë që mund të shpëtonte nga apartamenti. Albume fotografike, koleksioni i qeseve me sheqer të gruas së tij, shënime të shkruara me dorë, ndërsa të shkatërruar gjeti karrocën e vajzës së tij.
“Nëse i lë gjërat në banesë, do të bëhen plehra dhe njerëzit do t’i hedhin. Dua ta mbaj për kujtimet e mia”, tha ai për BBC.
Ai dhe gruaja e tij e ndjerë, Valeria ishin çift prej nëntë vitesh. Vajza e tyre kishte ardhur në jetë në fund të janarit, vetëm një muaj para fillimit të luftës.
“Ajo mund të gjente gëzim në çdo gjë. Odesa ishte qyteti i saj i preferuar. Punonte në PR dhe mund të komunikonte me shumë njerëz, t’i kuptonte ata. E admiroja sa shkrimtare e mirë ishte. Ajo ishte një nënë e shkëlqyer, shoqe, me të gjitha cilësitë më të mira. Do të jetë e pamundur për mua të gjej dikë tjetër si Valeria. Ajo ishte perfekte. Një person i tillë mund të të jepet vetëm një herë në jetë dhe është një dhuratë nga Zoti”, tha Glodan.
Yuriy foli edhe për vajzën e tij duke e konsideruar si një mrekulli, e cila nuk është më.
“Ne ishim shumë të lumtur kur ajo lindi. Isha në maternitet kur ajo lindi. Është shumë e vështirë për mua të kuptoj tani që vajza dhe gruaja ime nuk janë më këtu. E gjithë bota ime u shkatërrua dje nga një raketë ruse”
Ai dëshiron që bota të dijë për atë që ka ndodhur me familjen e tij, duke theksuar se ndoshta kjo histori do të ndihmojë në ndalimin e luftës.
“Ajo që po ndodh është një pikëllim për familjen time, për qytetin tonë, për Ukrainën, është një pikëllim për të gjithë qytetërimin. Shpresoj që historia jonë të ndihmojë në ndalimin e kësaj lufte”, u shpreh Glodan.