Kurti nuk e “pranon” raportin e FMN-së që parashikoi rritjen më të ulët ekonomike në 10 vitet e fundit: Kemi rritje prej 10.35%, dhe hapëm 25 mijë vende pune
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur edhe sot për rritjen ekonomike të Kosovës, për të cilën Kurti thotë se është rritur për 10.35 për qind.
Kurti në Forumin Ekonomik Kosovë-Austri në Prishtinë ka thënë se gjatë këtij viti janë krijuar 25 mijë vende të reja pune, derisa ka bërë thirrje për investime në Kosovë.
Kurti është shprehur se Kosova është vendi më i mirë për investime të reja.
“Kosova është vendi më i mirë për bërje të biznesit. Investimi në Kosovë do të jetë sukses për ju. Kemi krijuar 25 mijë vende të reja. 10.53 është rritja ekonomike. Vlera e eksporteve ka arritur 2.7 miliardë. Vlera e mallrave 62 për qind. Investimet kapitale janë rritur 10 për qind më shumë. Përkushtimi për sundim të ligjit po thyejmë rekorde një pas një”, tha Kurti.
Fondi Monetar Ndërkombëtar në edicionin e prillit të raportit “Pikëpamja Ekonomike Botërore”, publikuar këtë të martë parasheh rritjen më të ulët ekonomike për Kosovën në 10 vitet e fundit.
Sipas raportit të muajit prill të FMN-së, Kosova pritet të ketë një rritje ekonomike prej 2.8 % dhe jo 3.8 sa parashikohej në janar.