Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Liburn Aliu, ka reaguar pas kritikave në opinion ndaj tij pasi nënshkroi marrëveshje me Kolegjin ‘UBT’, në të cilin ka deklaruar se ka punuar si ligjërues,
Ai u kritikua edhe për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje me një kolegj privat, e për këtë Aliu tha se nesër do ta nënshkruajnë marrëveshjen me Universitetin e Prishtinës.
“Për të qenë të saktë dhe transparentë, sot ka qenë e planifikuar që të nënshkruhet marrëveshja me Universitetin e Prishtinës. Përkundër vullnetit tonë, në pamundësi për të realizuar këtë sot, nënshkrimi i bashkëpunimit me UP është shtyrë për ditën e nesërme”, ka shkruar Aliu.
Sipas tij, bashkëpunimi me universitetet, profesorët dhe studentët, do të sjellë ide dhe energji të reja, “por mbi të gjitha angazhim të profesionistëve në sektorët që koordinon Ministria jonë. Ne besojmë tek kapacitetet intelektuale e profesionale të shoqërisë dhe shtetit tonë”.
“Në asnjë mënyrë, qasja jonë nuk është selektuese e as diskriminuese apo favorizuese, por në perputhje me të mirën publike dhe me strategjinë e Ministrisë, në interes të projekteve zhvillimore të cilat i kemi në plan ti realizojmë”, tha Aliu në Facebook.
Ministri tha se është i përkushtuar që me transparencë të plotë, të bashkëpunojë me të gjitha universitetet dhe akademinë pa përjashtim, “në mënyrë që të instalohen praktikat më të mira në këtë kontekst”.
KALLXO.com raportoi për nëshkrimin e kësaj marrëveshjeje me Kolegjin ‘UBT’.Në deklarimin e tij të pasurisë të vitit 2021, ministri Aliu ka deklaruar se është paguar nga Kolegji “UBT”.
KALLXO.com i ka dërguar pyetje Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Kolegjit ‘UBT’ dhe është duke pritur përgjigje.Për këtë marrëveshje pati reagime nga shoqëria civile.