Lajmet e ditëve të fundit kanë qenë të pazakonta. Në shesh po dalin skandale të mëdha që lidhen me Serbinë dhe të cilat, po të mos zbuloheshin nga shërbimet inteligjente dhe mediat e shteteve perëndimore dhe të lira, do ta dëmtonin shumë Kosovën.
Megjithatë, vetëm me publikimin dhe zbulimin tyre, nuk do të thotë që është evituar tërësisht dëmi eventual ndaj shtetit të Kosovës, nëse këto skandale të Serbisë nuk trajtohen dhe nuk bëhen argumente të fuqishme diplomatike në duart e prijësve tanë institucionalë për t’iu kundërvënë Beogradit.
Bëhet fjalë për furnizimin e shpejtë dhe ‘irracional’ të Serbisë me armë nga të katër anët. Vetëm gjatë ditëve të fundit, opinioni është njoftuar që Serbia do të blejë 12 avionë luftarakë “Rafale” nga Franca dhe 12 të tjerë nga një shtet tjetër ende i panjohur, ndërkohë që është e interesuar të blejë edhe dronët “Bayraktar” të Turqisë, për të cilët Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka marrë konfirmimin pozitiv nga presidenti turk Recep Tayyip Erdogan.
Përderisa Serbia luan me kujdes kartat në politikën e jashtme, duke dalë pothuajse e padëmtuar ndërkombëtarisht, ndonëse mbështetëse e Rusisë dhe një prej vendeve të rralla në botë që nuk aplikon sanksione ndaj Moskës, një skandal tjetër i ka dalë ditëve të fundit.
Associated Press ka zbuluar se Serbisë po i dërgoheshin tinëzisht armë të sofistikuara kineze përmes rrugëve ajrore të Turqisë. Bëhet fjalë për një sistem të kundërajror kinez, që është dërguar përmes një operacioni sekret këtë fundjavë.
Në anën tjetër, ish-prokurori që kishte përgatitur një dosje kundër UÇK-së, e që është bërë shkas i themelimit të Gjykatës Speciale, Dick Marty ka tronditur opinionin me paraqitjen e tij në një emision televiziv zviceran, ku ka treguar publikisht se është në rrezik tejet të lartë që të vritet nga shërbimet inteligjente të Serbisë.
Marty ka thënë se arsyeja e vrasjes së tij është me motivacion politik, që të dëmtohet dhe diskreditohet Kosova, duke ia veshur shqiptarëve vrasjen e tij potenciale. Ai ka thënë se ka 16 muaj që mbrohet nga forcat elite ushtarake dhe policore të Zvicrës.
Në gjithë këtë seri zhvillimesh të pazakonta, institucionet e Kosovës, deri tani, nuk kanë ndërmarrë as edhe një strategji të koordinuar veprimi, për të krijuar avantazh diplomatik ndaj Beogradit, ndonëse të gjitha këto veprime të Serbisë mund të konsiderohen edhe akte agresioni mbi Kosovën.
Kryeministri Albin Kurti vazhdon të flasë vetëm kundër Presidentit rus Vladimir Putin dhe efektet botërore të luftës në Ukrainë, sikur të ishte një prej liderëve kryesorë të NATO-s, ndërkohë që merret pak me Vuçiqin, kur në dorë ka argumentet më të fuqishme ndonjëherë kundër tij. Njëjtë sillet edhe Presidentja Vjosa Osmani.
Agjenda e dy prijësve institucionalë vazhdon të mbetet e zakonshme, përkundër rrethanave dhe zhvillimeve. Sot, Zyra e Kryeministrit ka njoftuar për dy aktivitete të tij: i pari që priti përfaqësuesit politikë të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, për ta parandaluar shkarkimin e Ardita Sinanit nga pozita e kryetares së Preshevës, që dështoi – dhe i dyti që mori pjesë në manifestimin për 150-vjetorin e lindjes së atdhetarit e poetit, Asdreni.
Në Twitter-in e kryeministrit sot mund të gjenden të publikuar intervista për Euronews, ku ka folur për situatën në Ukrainë dhe zgjerimin e NATO-s dhe të BE-së në këtë kohë si dhe mesazhi i tij për Ukrainën përmes “Global Citizens Impact”. Përmes postës elektronike, në anën tjetër, Presidentja nuk ka njoftuar për ndonjë aktivitet, e në llogarinë e saj në Twitter nuk ka të publikuar asgjë nga 9 prilli.