Seanca e Kuvendit të Republikës së Kosovës ka nisur me një minutë heshtje në nder të ish-sekretares së SHBA-së, Madaleine Albright, shkruan IndeksOnline.
“Për shkak të pikëllimit që e kemi si popull për znj.Albright për vdekjen e saj propozoj se si Kuvend dhe deputetë të Kuvendit të Kosovës ta nderojmë znj.Albright me një minutë heshtje”, tha kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.
Mirëpo, deputetët e Listës serbe kanë bojkotuar seancën.
“U prehtë në paqe kjo mike e madhe e Kosovës”, tha Konjufca.
Albright ishte figurë qendrore në administratën e presidentit Bill Clinton. Në mandatin e parë të presidentit Clinton, ajo shërbeu si ambasadore në Kombet e Bashkuara, ndërkaq në mandatin e dytë u emërua sekretarja e 64-të e Shtetit.
Përveç që shtyri përpara ndërhyrjen e aleancës ushtarake të NATO-s në Kosovë, gjatë mandatit të saj si sekretare ajo ka avokuar për zgjerimin e kësaj aleance, ka punuar në reduktimin e përhapjes së armëve bërthamore dhe ka punuar në të drejtat e njeriut dhe demokracinë në mbarë botën.
Për shkak të punës së saj për demokraci dhe të drejtat e njeriut, ajo më 2012 ishte nderuar me Medaljen Presidenciale të Lirisë, që është çmimi më i lartë civil në SHBA.