Ministri i Shëndetësisë, Dr. Rifat Latifi me bashkëpunëtorë takoi sot përfaqësues të shoqatave dhe organizatave të ndryshme nga sektori i gastronomisë, hotelerisë, sportit e rekreacionit për të diskutuar rreth bashkëpunimit në fuqizimin e zbatimit të masave kundër COVID-19.
Në këtë takim është kërkuar nga të gjithë sektorët që t’i zbatojnë masat kundër COVID-19, pavarësisht situatës më të qetë epidemiologjike në vend, ndërsa dëshmia e vaksinimit t’u kërkohet qytetarëve, ashtu si është e përcaktuar në vendimin për masat, me rastin e pjesëmarrjes në aktivitete të ndryshme si dhe gjatë marrjes së shërbimeve në këta sektorë të rëndësishëm.
Ishte qëndrim i përbashkët që të gjithë të bëjnë maksimumin brenda sektorëve ku veprojnë me qëllim që të parandalohet çfarëdo reduktimi apo mbyllje e veprimtarive për shkak të ndonjë përkeqësimi eventual të situatës, si pasojë e mos respektimit të masave dhe mos vaksinimit.
Ministri Latifi ka thënë se mbyllja nuk është zgjidhje për asnjë sektor dhe bart pasoja të rënda përveç në aspektin e shëndetit mendor edhe në rrafshin ekonomik, social e kulturor, prandaj edhe nga ky takim u është bërë apel njëzëri qytetarëve të pa vaksinuar që ta bëjnë këtë sa më parë për të mos u kthyer prapa me kufizime të ndryshme.