700 deri 900 mijë njerëz janë përdorues aktivë të duhanit, sipas Adriatik Stavilecit nga Dogana e Kosovës, i cili thotë se në Kosovë importohen mesatarisht 3 mijë tonë produkte të duhanit çdo vit.
Stavileci tutje tregon se në Kosovë ka vetëm përqindje të vogël të duhanit të kontrabanduar, pasi shumica është i taksuar.
“Importi i duhanit gjatë viteve ka pasur probleme për shkak të taksave të larta. Jemi vend në rajon që kemi më së paku duhan të kontrabanduar. 95 për qind e duhanit që gjendet në Kosovë është i taksuar. Importohen 3 mijë tonë brenda një viti, kjo është mesatare që nuk ka lëvizë. Asnjë shtet në botë nuk mund të thotë që ka një treg të mbrojtur 100 për qind nga kontrbandimi, por ne e kemi më të ulurën me siguri në rajon. Nëse krahasojmë vitin 2021, 3400 tonë produkte të duhanit janë importuar, ndryshe nga vitet paraprake kur kanë qenë 3100 apo 3200. Mbi 300 milionë euro shpenzohen për produkte duhani në vit nga qytetarët. Rreth 700 deri 900 mijë përdorues aktivë të duhanit janë në vend”, ka thënë Stavileci në emisionin “SOT” të KTV-së.
Për taksën e akcizës, Stavileci thotë se është bërë për të rritur të hyrat buxhetore, por edhe për dekurajim të pirjes së duhanit meqë është i dëmshëm.
“Taksa e akcizës që është vendosur në vitet e hershme, është filluar me dy euro për kilogramë, ndërsa tani është 50 euro për kilogramë, prandaj çmimet janë rritur vazhdimisht. Kjo taksë mbledh shumë të hyra për buxhetin e shtetit, por kjo ndihmon në dekurajim të pirjes pasi duhani është i dëmshëm”, deklaroi ai.