Imami nga Prishtina Labinot Maliqi ka kërkuar nga kryeministri Kurti të mbajë premtimet elektorale për mos pengimin e shkollimit të vajzave që mbajnë shami në kokë.
Maliqi i cili njihet për raportet miqësore që ka me ambasadorët amerikanë dhe pjesëtarët e KFOR-it të shtetit mik ta Kosovës, ka shprehur shqetësimin se javën e kaluar përsëri një nxënëse është penguar të vijojë mësimin në një shkollë fillore në Prishtinë për shkak të bartjes së mbulesës.
Ai thotë se për fat të keq edhe në këtë qeveri po bëhet përjashtimi i nxënësve me shami nga shkolla.
“I bëjë thirrje Kryeministrit Albin Kurti, që ta shfuqizoj sa më parë ndalesën e Udhëzimit Administrativ në Ministrinë e Arsimit, ku vajzat myslimane të cilat duan të shkollohen dhe njëkohësisht të praktikojnë hapur besimin e tyre, pikërisht ashtu siç ua garanton edhe Kushtetuta e Kosovës, edhe në këtë qeverisje po vazhdohet përjashtimi i tyre nga shkollat publike për shkak të bartjes së shamisë, duke ua mohuar kështu një të drejtë elementare njerëzore”, ka shkruar Maliqi në Facebook.
Tutje tha se të entjen do të jetë ndërmjetësues tek një shkollë në Prishtinë pasi është përjashtuar pse është me shami.
“Për dijeninë e Kryeministrit Kurti dhe të Ministres së Arsimit, znj.Nagavci, sikurse e kemi bërë edhe në të kaluarën për qindra raste, nesër do të ndërmjetësoj për kthimin e një vajze në shkollë, pasi që ajo është përjashtuar javën e kaluar në një nga shkollat fillore të Prishtinës”, tha ai, përcjell Telegrafi .
“Uroj që premtimeve elektorale ju ka ardhur koha të përmbushen në praktikë”, ka shkruar tutje hoxhë Labinoti duke ja bashkangjitur edhe një video kur Kurti kishte premtuar se nuk do të pengonte nxënëset me shami të shkonin në shkollë.
Lejimi i mbajtjes së shamisë për femrat e besimit mysliman në shkollat fillore dhe të mesme është rikthyer si një temë diskutimi në Kosovë.
Në vitin 2010, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Qeverinë e Kosovës kishte nxjerr një Udhëzim Administrativ, i cili ndalon mbajtjen e shamisë në shkollat fillore dhe të mesme publike.