Kosova është shprehur e gatshme të ofrojë të gjitha kapacitetet e saj operuese të FSK-së, nëse këtë e kërkon SHBA-ja.
Kështu ka bërë të ditur sot ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, i cili ka komentuar zhvillimet e fundit në Ukrainë, e cila po pushtohet nga Rusia.
“Nëse kërkohet nga SHBA-ja, si partneri dhe aleati ynë jetik, për angazhimin tonë, jemi të gatshëm të ofrojmë të gjitha aftësitë dhe kapacitetet operacionale të FSK-së që ata vlerësojnë se mund të jenë kontribuuese në operacionet e mundshme”, ka shkruar Mehaj
Ai ka shtuar se Kosova është e bashkuar fuqishëm me qëndrimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar, aleatët e tyre nga NATO-ja dhe Bashkimin Evropian.
Shkrimi i plotë i Mehajt:
Siç kemi paralajmëruar edhe më herët, Rusia e sinkronizuar me aleatin e saj, Serbinë, vazhdojnë intenzivisht me aktivitetet e luftës hibride, tashmë të njohura, në rajonin tonë, siç ishin edhe deklaratat dezinformuese, para pak ditëve nga Ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë.
Kjo dezinformatë e rrezikshme, qëllimi i së cilës lexohet qartë, synon të shkaktojë konfuzion brenda unitetit të deritashëm të vendeve dhe kombeve me orientim euroatlantik, dhe të cenoj kohezionin e përgjithshëm të qytetarisë botërore demokratike që solidarizohen me Ukrainën dhe popullin e saj.
Prandaj qytetarë të dashur,
Lajmet e rrejshme, trillimet dhe inskenimet e mundshme, janë element që zbatojnë strukturat ruse dhe ato të sponsorizuara nga ta, në vazhdimësi edhe në situatën aktuale.
Prandaj kërkojmë nga ju që të mos bini viktimë e tyre, por të merrni parasysh vetëm informacionet zyrtare nga institucionet relevante shtetërore të Republikës së Kosovës.
Republika e Kosovës, dhe qytetarët e saj në përgjithësi, përmes përfaqësuesve të saj kanë shprehur hapur dhe në mënyrë të vendosur mbështetjen për popullin e Ukrainës, si dhe për sovranitetin dhe integritetin territorial të saj.
Prandaj, nuk kanë asnjë arsye të organizohen në struktura joshtetërore për të ofruar një solidaritet dhe mbështetje të tillë, traditë kjo e njohur pikërisht nga vet qarqet ruse dhe serbe për veprime me mekanizma e struktura paramilitare dhe mercenare famëkeqe të njohura tani më për krime monstruoze në Ballkan, viktima të së cilave janë edhe vet populli ynë liridashës e paqedashës.
Në anën tjetër, nëse kërkohet nga SHBA, si partneri dhe aleati ynë jetik, për angazhimin tonë, jemi të gatshëm të ofrojmë të gjitha aftësitë dhe kapacitetet operacionale të FSK-së që ata vlerësojnë se mund të jenë kontributore në operacionet e mundshme.
Republika e Kosovës është e bashkuar fuqishëm me qëndrimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar, aleatët e tyre nga NATO dhe Bashkimin Evropian.
Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj pa dallim, kanë dëshmuar dhe e dëshmojnë fuqishëm në vazhdimësi, orientimin e plotë dhe të natyrshëm euroatlantik, andaj edhe kërkojmë nga vendimmarrësit politik dhe ushtarak të NATO-s, që sa më parë të procedojnë me ftesën për anëtarësimin tonë në NATO.
Duke pasur parasysh, kërcënimet dhe rreziqet që cenojnë shumë seriozizht mjedisin e sigurisë, paqes, stabilitetit dhe demokracisë së rajonit të Ballkanit Perëndimor, nga politika destruktive dhe agresive e Rusisë dhe aleatëve të saj, është koha që SHBA të miratojë kërkesën tonë të kahershme për vendosjen e Bazës së Përhershme Ushtarake Amerikane në Kosovë.
Për arsyen e njëjtë, gjithashtu vlerësojmë se është koha që kërkesa jonë e përhershme për anëtarësim në NATO të trajtohet me seriozitetin maksimal dhe vendimmarrje konkrete pozitive.
Ky veprim do të jetë edhe një vlerë e shtuar, krahas vlerave që bartë NATO, dhe përkon me synimin tonë kryesor nacional, në aleancë të përjetshme me SHBA-në.
Kjo është koha që të gjitha kombet e përgjegjshme të qëndrojnë fuqishëm së bashku në anën e duhur të historisë.