Fjala e kryeministrit Albin Kurti në ceremoninë e parakalimit të kuadrateve të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës, në Ditën e Pavarësisë
Jemi mbledhur sot, në këtë ditë të veçantë, për të festuar së bashku Ditën e Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Ditën kur janë jetësuar përpjekjet tona për të jetuar të lirë dhe të pavarur, për t’i gëzuar të drejtat tona dhe për ta jetësuar vullnetin e gjeneratave të tëra për liri e dinjitet, për drejtësi dhe barazi. Në këtë ditë të rëndësishme, bashkohemi të gjithë në dashurinë për vendin tonë, për shtetin tonë të pavarur e të përbashkët, sovran e demokratik.
Shteti i Kosovës është vend i të gjithë qytetarëve të saj, të barabartë para ligjit dhe ku garantohen të drejtat dhe liritë. Republika e Kosovës sot qëndron si partnere e palëkundur e vendeve mike dhe aleate në mbrojtjen e parimeve të paqes e të sigurisë, dhe të vlerave demokratike evropiane e amerikane. Republika e Kosovës është e përcaktuar në anëtarësimin në institucionet euroatlantike, në NATO e në Bashkimin Evropian dhe çdo ditë punojmë për ta dëshmuar përkushtimin tonë në këtë drejtim, e për të ecur në këtë udhë të drejtë.
Garancia e paqes në peshën aktuale të konflikteve dhe të autokracive është ekzistenca efektive e Aleancës së Atlantikut Verior. Evropa është horizonti ynë i përkatësisë së të jetuarit, ndërsa NATO-ja është kushti i paqes për të gjithë neve. Ky është vlerësimi aktual i një Republike në proces emancipimi: veprim dhe paqe.
Rrugëtimi i popullit tonë deri në këtë ditë ishte i gjatë dhe i mundimshëm, por edhe përplot me krenari e me nder.
Mbi të gjitha, sot i kujtojmë heronjtë tanë që dhanë më të shtrenjtën dhe të çmuarën, jetën e tyre, për atë që është më e shtrenjta dhe më e çmuara e popullit tonë, liria e tij. Sot kujtojmë vuajtjen, flijimin e heronjve tonë, atyre që na e kujtojnë sa e shenjtë është liria dhe sa bukur që është të jetosh i lirë. Sot bashkohemi edhe në fuqi edhe në festë. Në këtë ditë jemi mirënjohës, jemi të bashkuar dhe reflektojmë mbi idealet tona.
Në ditën e Pavarësisë së Republikës e shikojmë të kaluarën dhe bashkohemi në aspiratat e së ardhmes së ndritur të popullit tonë: mirënjohës dhe të përkulur para sakrificës, krenarë dhe me vullnet të pashoq për të ardhmen, të cilën së bashku po e ndërtojmë.
Në 14 – vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, dua të ju uroj edhe juve, ushtarakëve të Forcës sonë dhe të Policisë së Kosovës që i shërbeni, me vetëmohim, shtetit tonë, me vullnet dhe përkushtim.
Në këtë përvjetor të pavarësisë ia vlen të përmendim linjat kyçe të zhvillimit të qëndrueshëm. Por që në nisje duhet të themi se shkolla dhe ushtria janë dy garantues të mëdhenj të dijes publike dhe sovranitetit shtetëror dhe progresit kombëtar. Na duhet policia dhe shëndetësia si garantues të rendit shoqëror e të integritetit fizik publik. Na duhet ekonomia dhe puna, si orientuesit e mëdhenj të prodhimit të mirës publike dhe zotërimit të pasurisë publike. Lipset pra që në funksionimin e përbërësve dhe të institucioneve të jemi të vetëdijshëm për arsyen historike. Humbja e arsyes së përbërësve të veprimtarive dhe institucioneve të administrimit është ajo që na kërcënon për ditë, korrupsioni. Por nëse korrupsioni, na kërcënon përditë, ne do ta luftojmë për çdo orë.
Të dashur qytetarë,
Ne kemi shumë për të bërë. Pjesëmarrja e të gjithëve është e domosdoshme. Madje jo vetëm e qytetarëve të Kosovës, por edhe e njerëzve tanë në trojet shqiptare e në mërgatë. Kosova është çështje e të gjithëve. Ajo nuk mund të çlirohej pa qenë çështje e të gjithëve e për të përparuar sot ajo ka nevojë për të gjithë neve.
Me parakalimin tuaj na e kujtoni që nuk ka vlerë më të madhe, të dashur ushtarakë, se liria, paqja e siguria, rendi dhe ligji. Hapat tuaj të guximshëm dhe krenarë kumbojnë fuqishëm dhe reflektojnë krenari dhe nder, ndjenjat që çdo njeri prej nesh i ka në zemër sot dhe jo vetëm sot.
Të dashur qytetarë të Kosovës,
Së bashku i kalojmë edhe sfidat edhe festat. Në këto vite të fundit po përballemi me pandeminë serioze e cila i ka rënduar edhe ekonomitë më të fuqishme botërore. Ne jemi të angazhuar për rimëkëmbje të ekonomisë vendore dhe po kujdesemi që në shtëpitë e juaja të ketë shëndet dhe mirëqenie.
Asnjëherë le të mos harrojmë së bashku që Evropa është kontinenti ynë. Fati i Evropës dhe i Kosovës është Bashkimi Evropian. E integrimi duhet të përbëjë parim edhe brenda, jo vetëm jashtë. Ne do të bëjmë gjithçka me qëllim që çdo banorë i Kosovës ta ndjej që është në shtetin e në shoqërinë e vet. Të gjitha pakicat etnike duhet të jenë qytetarë të dorës së parë. Një republikë e drejtë është ajo ku nuk ka qytetarë të dorës së dytë. Pakicat duhet të integrohen në arsim dhe institucione, në punë e në përfaqësim, në ushtri e në polici. Për ne republika është udha ku ecet, e jo stacioni ku ndalohet. Është hapësira që zgjerohet e jo territori që mpaket, është projekt ndërtimi dhe jo objekt konsumi. Republika jonë mbanë energjinë e moshës së re dhe urtinë e idesë së moçme. Suksesin e këtyre dy vetive e garanton mirëqenia e qytetarëve por mbi të gjitha jeta e mirë e qytetarëve, jeta e sigurt dhe e lirë. Republika forcohet kur vullneti i përgjithshëm i qytetarëve i mbipeshon shtysat e çastit dhe ndjenja e drejtësisë i udhëheqë që të gjithë ata së bashku.
Më lejoni që në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, si Kryeministër i vendit t’ju uroj Ditën e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, me dëshirën që sot të festoni të gëzuar dhe krenarë me familjet dhe më të dashurit tuaj.
/Gazeta Papirus/