Sadik Maqedonci nga Oda e Hotelierisë dhe Turizmit të Kosovës, ka treguar se në Brezovicë për herë të parë teleferikun po e menaxhon një ndërmarrje kosovare dhe nuk është aktivizuar.
Ai ka treguar se si kjo po i dëmton bizneset në Brezovicë, ndërsa ka thënë se ekziston rreziku që gjithë ky sezon të përfundojë pa aktivizimin e teleferikut.
“Dje e pardje kam pasur kontakt me drejtorin e ri të teleferikut që është emëruar nga AKP-ja. Është hera e parë që teleferiku menaxhohet nga një ndërmarrje kosovare e fatkeqësisht ende nuk është lëshuar të punojë. Menjëherë dështuam. Për hotelin ku unë jam drejtor por edhe për Brezovicën në përgjithësi ka qenë goditje, ka pasur shumë anulime të rezervimeve. Kemi pasur fluks të madh të turistëve nga Shqipëria që kanë ardhur e kanë rezervuar për një javë, e kanë qëndruar një natë apo dy dhe janë larguar pasi s’ka punuar teleferiku. Ata kanë ardhur për skijim nuk kanë ardhur për male, pasi kanë male boll”, ka thënë Maqedonci në emisionin SOT të KTV-së. “Impakti i mosfunksionimit të teleferikut është shumë i madh”.
Maqedonci ka kritikuar institucionet e Kosovës për mosreagim.
“Është për çudi. Kam biseduar dje me presidenten Vjosa Osmani, që ishte në vizitë private. Ajo shkoi vet te teleferiku. Drejtori i ri është serb dhe ka një bord prej tre anëtarëve, një prej tyre është ish-nënkryetar i Shtërpcës nga radhët e shqiptarëve. Qysh më 10 shtator ata i kanë shkruar AKP-së në lidhje me funksionalizimin e teleferikut dhe nuk kanë marrë përgjigje. Janë marrë vesh edhe me ndërmarrjen e kontrolluar nga Serbia dhe ua kanë zgjatur kontratat punëtorëve për gjashtë muaj që me funksionalizu teleferikun, por reagimi i institucioneve tona nuk ishte adekuat. Nuk besoj se do të aktivizohet edhe gjatë këtij vikendi. Sezona gati përfundoi. Eventualisht edhe shkurti. S’besoj se funksionalizohet. Nuk e di a ka ndodhur më herët, por ekziston mundësia që sezoni sivjet në Brezovicë të mbyllet pa teleferik”, ka thënë Maqedonci.