“Koalicionet shprehin realitetin tonë por edhe qesin në pah tërbimin e pashembullt politik që ushtrohej në të kaluarën nga VV dhe disa figurave “Guxo” ndaj atyre që bënin koalicion me PDK-në. Tani ata po “martohen” me PDK-në për të mbetur në pushtet. Jo vetëm për letra!”, deklaroi ish-kreu i LDK-së për lajmi.net.
“Dikush mund të thotë, kjo është tjetër PDK; nuk është Thaçi, është tjetërkush. E unë ju them se kjo është parti e themeluar nga z. Thaçi dhe se VV me shumë dëshirë dhe gjentelesë po bënë koalicion me partinë e Hashim Thaçit. Dashuria kurorëzohet me martesë….Dhe këtu asgjë s’ka të keqe. Edhe LDK po ashtu”, potencoi më tej ish-kryeministri.
Frazën “martesë”, duke konsistuar në koalicione që ndihmojnë qëndrimin në pushtet, e ka përdorur edhe për partinë që e udhëhoqi vetë ai, pa përmendur detaje.
Gjatë ditës u raportua se LVV dhe PDK kanë arritur koalicion qeverisës në Gjilan. PDK-së do t’i takojë pozita e nënkryetarit të komunës dhe katër drejtori, ndërkaq partia fituese e zgjedhjeve do të udhëheq me drejtoritë të tjera.
Koalicion LVV-ja arriti me PDK-në edhe në Podujevë. Koalicionin nga VV-ja u arsyetua duke thënë se ishte e vetmja mënyrë që të konstituohej Kuvendi Komunal.
Në anën tjetër, është raportuar për një lloj marrëveshjeje bashkëpunimi ndërmjet PDK-së dhe LDK-së për udhëheqjen e kryeqytetit. Raportimet erdhën pasi asamblistët e PDK-së ia votuan LDK-së tashmë kryesuesin e Asamblesë së Prishtinës, Fehmi Kupinën.
Përfaqësues të LVV-së kanë qenë kategorikisht kundër marrëveshjeve politike me PDK-në në të kaluarën.