Reduktimet e rrymës janë kthyer gjatë ditës së djeshme në tërë Kosovën.
Kompania e shpërndarjes së energjisë në Kosovë (KEDS) njoftoi dje se do të ketë ndërprerje të energjisë elektrike në mbarë vendin, si pasojë e prodhimit të ulët vendor dhe çmimeve të larta të importit të energjisë.
Përmes një komunikate, KEDS-i njoftoi se dy orë ndërprerje të energjisë elektrike do të prekin të gjithë brenda 24 orëve të ardhshme dhe do të zgjasin deri në njoftimin e radhës.
“Meqenëse po përballemi me krizën më të rëndë të energjisë elektrike në botë, KOSTT, në bazë të ligjeve në fuqi, na ka udhëzuar që të fillojmë me kufizimet e energjisë elektrike”, thuhej në njoftimin e KEDS-it.
Mirëpo, shumë lagje të Prishtinës gjatë ditës së djeshme kanë mbetur pa rrymë më shumë se tri orë.
Siç raportoi mbrëmë, Gazeta Online “Reporteri.net”, gjysma e Prishtinës ka mbetur në “terr” pak pas orës 18:00, derisa rryma nuk ka ardhur deri në orën 20:50.
Lagjet si Ulpiana, Dardania, Veterniku e po ashtu edhe disa pjesë në Breg të Diellit kanë qenë ato që e kanë pësuar më së shumti.
Lajmi për kthimin e reduktimeve të rrymës në Kosovë ka bërë bujë edhe në mediat e rajonit e ato evropiane.
Agjencia e Lajmeve “Reuters” raportoi mbrëmë për krizën energjetike në Kosovë duke shkruar se shteti me 1.8 milionë banorë tani po importon rreth 40 për qind të nevojave për energji elektrike.
Për kthimin e reduktimeve të rrymës në Kosovë, kanë raportuar edhe mediat në Serbi e Kroaci.
Disa ditë më parë, Qeveria e Kosovës i ka ndarë 20 milionë euro për Korporatën Energjetike të Kosovës, mjete këto që do të shërbejnë për mbështetje të tejkalimit të krizës energjetike.