23:09 | 17 Dhjetor 2021
Presidentja Vjosa Osmani përpara tetë ditësh në fjalën përshëndetëse ndaj presidentit amerikan, Joe Biden, thoshte se kosovarët janë populli më pro-amerikan në botë. Megjithatë tetë ditë më pas, Osmani në Kuvend tha se njëra pikë e marrëveshjes së dalë nga Zyra e Ovale e Shtëpisë së Bardhë ka cënuar Kushtetutën e vendit.
Osmani, në Samitin për Demokracinë të organizuar nga presidenti Joe Biden, e prezantoi Kosovën si një nga demokracitë më të reja në botë. E para e vendit po ashtu ia prezantoi Bidenit popullin e Kosovës si atë më pro-amerikan në botë, shkruan lajmi.net.
“Dua të falënderoj Presidentin Biden për lidershipin e tij në këtë përpjekje! Nga populli më pro-amerikan në botë, faleminderit të gjithëve dhe mirupafshim”, thoshte Osmani.
Megjithatë, presidentja gjatë fjalimit vjetor në Kuvendin e Kosovës para deputetëve foli për moratoriumin, që sipas saj, ka cënuar rendin kushtetues të Kosovës.
“Kosova ka miq dhe aleatë të rinj dhe të vjetër në të gjitha kontinente, që janë të palëkundur në mbështetjen që na japin në rrugëtimin tonë të drejtë të qenit anëtar me të drejta të plota dhe të barabarta në komunitetin ndërkombëtar. E gjitha kjo ka ndodhur përkundër një starti jashtëzakonisht sfidues. Duke aplikuar një politikë të jashtme tërësisht pasive, të çakorduar në të kaluarën, e fatkeqësisht duke e pranuar moratoriumin që cenonte rendin tonë kushtetues dhe të drejtën për konsolidimin e subjektivitetit tonë ndërkombëtar”, deklaroi ajo.
Moratoriumi parashihte që Kosova të mos aplikonte në organizata ndërkombëtare dhe të lobonte për njohje të reja diplomatike, derisa për Serbinë kërkohej që të mos lobonte kundër Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Marrëveshja për moratoriumin, me një afat një-vjeçar, skadoi në shtator të këtij viti dhe nuk u vazhdua nga autoritetet kosovare, përkundër thirrjeve të DASH-it që të zbatohej një marrëveshje e këtillë.
Lidhur me Marrëveshjen e Washingtonit, përgjatë së premtes kanë folur nga ambasada e SHBA-së, duke kërkuar zbatimin e kësaj marrëveshjeje.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës qëndrojnë të gatshme për të mbështetur punën përpara një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të obligueshme në mes të Kosovës dhe Serbisë, që në qendër do të kishte njohjen reciproke, që do të hidhte themelet për një bashkëpunim dhe një të ardhme të qëndrueshme. Ne mbështesim dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja dhe inkurajojmë palët që të rikthehen në këtë proces me sens urgjence për të adresuar bashkë çështjet teknike dhe politike. Ne do të punojmë me Serbinë dhe Kosovën për të implementuar Zotimet e tyre të Washingtonit në përkrahje të synimit për normalizim të plotë”, kanë thënë për Gazetën Express nga ambasada e SHBA-së në Kosovë.
Deklarimin e Osmanit për moratoriumin e kundërshtoi ish-bashkëpartiaku i saj, Avdullah Hoti, nëpërmjet një reagimi në ‘Facebook’.
“Si mund të cenohet rendi kushtetues i Kosovës nga Zyra Ovale e Shtëpisë së Bardhë, e cila e mbron shtetësinë e Kosovës më shumë se disa politikanë dhe bartës institucionesh në Prishtinë?!”, tha Hoti.
“E vërteta është se vetë ekzistenca e shtetit të Kosovës rrezikohet kur cenohen raportet me mikun më të madh të shtetit të Kosovës, SHBA-në”, shtoi më tej ai.
Marrëveshja e Washingtonit është përshëndetur edhe nga Administrata Biden, e cila ka kërkuar vazhdimin e marrëveshjeve të arritura nga Administrata Trump.