Prokuroria e posaçme po përfundon hetimet edhe për dy inceneratorët e tjerë, atë të Tiranës dhe Elbasanit.
Burime nga organi i akuzës konfirmuan për ABC se prokurorët Dritan Premçi e Vladimir Mara janë drejt mbylljes së dosjes, ndërsa po kryhen veprime e fundit hetimore për akuzën e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës.
Janë të paktën 15 persona ndaj të cilëve po zhvillohen veprime hetimore, ku përfshihen zyrtarë dhe ish—zyrtarë. Nuk përjashtohet mundësia që ndaj tyre të vendosen masa sigurie. Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka i arrestuar nga SPAK ditën e martë për skemën e abuzimit me inceneratorin e Elbasanit pritet të dalë para gjykatës këtë të enjte. Mbi të rëndojnë akuza e “Korrupsionit”, pastrimit të parave dhe shpërdorimit të detyrës”.
Koka po mbahet i izoluar në ambientet e drejtorisë së policisë së Tiranës dhe nesër, në orën 11 e 15 minuta, gjyqtari Erjon Bani do i komunikojë zyrtarisht akuzat e SPAK. Nga ana tjetër policia ka zhvilluar kontrolle për arrestimin e biznesmenëve Klodian Zoto dhe Stela Gugallja, që sipas prokurorisë, përmes një skeme fiktive, i kanë paguar ish-ministrit 3 milionë e 685 mijë euro për të përfituar ndërtimin e inceneratorit.
Duke iu referuar sistemit “TIMS”, dy biznesmenët rezultojnë se nuk janë larguar nga Shqipëria, por ka dyshime se mund të kenë kaluar kufirin në mënyrë ilegale. /ABC