Qeveria e Kosovës, në formë elektronike, sot ka mbajtur mbledhjen e 48-të të saj, në të cilën janë miratuar tri vendime.
Vendimi për reduktimin e fondeve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe rritjen e fondeve nga granti qeveritar në kuadër të Programit të Rimëkëmbjes Ekonomike në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, është vendimi i parë që ka marrë miratimin në këtë mbledhje.
Sipas këtij vendimi, mjetet në vlerë prej tetëmbëdhjetë milionë euro, reduktohen në zero për shkak të mospranimit të fondeve të planifikuara nga burimi i financimit. Këto mjete kalojnë në nën-programin “Programi i Rimëkëmbjes Ekonomike”.
Është miratuar edhe vendimi për ndarje dhe kursime buxhetore në kategoritë e shpenzimeve të organizatave buxhetore.
Shuma totale e mjeteve të kursimeve buxhetore është 36.505.034,26 milionë euro (tridhjetë e gjashtë milionë e pesëqind e pesë mijë e tridhjetë e katër euro).
Mjetet e kursyera do të shpërndahen te organizatat buxhetore sipas nevojave dhe kërkesave për mbulimin e shpenzimeve të ndryshme të propozuara.
Miratimin e Qeverisë e ka marrë edhe vendimi për t’i rekomanduar presidentes së Republikës së Kosovës që të autorizojë ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve që të nënshkruajë Marrëveshjen e Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe KfW për projektin “Zhvillimi i Sektorit të Energjisë VII – Përmirësimi i Rrjetit të Transmetimit”.
Marrëveshja siguron kredinë në vlerën prej 25.500.000,00 euro (njëzet e pesë milionë e pesëqind mijë euro).