Fatura e energjisë elektrike në Kosovë mund të shtrenjtohet për 7 për qind në muajt e ardhshëm.
Një rritje të tillë e ka kërkuar Kompania Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS), bëri të ditur për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i saj, Viktor Buzhala.
“Kemi bërë kërkesë për shqyrtim të jashtëzakonshëm të tarifave të energjisë elektrike. Kërkesa është që të rriten tarifat e energjisë elektrike për 7 për qind”, tha ai.
Konsumatorët e Kosovës aktualisht paguajnë 6.75 centë për kilovat në orë.
Ky çmim do të jetë deri më 1 prill të vitit 2022, nëse KEDS-i dhe Furnizuesit për Shërbim Universal për Energji Elektrike nuk kërkojnë nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) në Kosovë shqyrtim të jashtëzakonshëm të tarifave të energjisë elektrike.
Gazeta kërkoi nga ZRRE-ja më shumë hollësi rreth rritjes së çmimit të energjisë, por, deri në publikimin e këtij teksti, nuk siguroi ndonjë përgjigje.
ZRRE njoftoi më 13 dhjetor se do të hapë procesin e shqyrtimit të jashtëzakonshëm të tarifave të energjisë elektrike, “për të reflektuar mbi çmimet e ngritura të importit”, si pasojë e krizës globale energjetike.
Kriza ka nisur tash e sa muaj, kryesisht për shkak të mungesave të gazit dhe rritjes së çmimeve të gazit.
Rizvanolli: Gjendje e jashtëzakonshme me energji elektrike
Ministrja e Ekonomisë e Kosovës, Artane Rizvanolli, paralajmëroi gjendje të jashtëzakonshme me energji elektrike në vend.
Duke raportuar në Komisionin Parlamentar për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Rizvanolli tha se situata është pasojë e çmimeve të larta të importit.
Ajo tha se për import të energjisë elektrike këtë vit janë paraparë 12 milionë euro, por këto mjete, sipas saj, janë shpenzuar vetëm në dy muaj.
Rizvanolli tha se nuk mund të ketë garanci se çmimi i rrymës nuk do të rritet.
Ministria e Ekonomisë, ndërkohë, është duke hartuar Strategjinë e Energjisë për periudhën 2022-2031.
Kjo strategji, sipas ministrisë, do t’i analizojë të gjithë skenarët potencialë dhe të përballueshëm financiarisht, për të rritur stabilitetin e furnizimit me energji elektrike, si dhe do të ofrojë mundësinë e integrimit sa më të madh të burimeve të ripërtërishme të energjisë.
Për shkak të situatës së rënduar, Qeveria e Kosovës dhe autoritetet e tjera, si ZRRE dhe KEDS, kanë kërkuar nga qytetarët që të kursejnë rrymë, në mënyrë që të mos vijë deri te mungesat.
Buzhala: Çmime astronomike të importit të rrymës
Kriza globale energjetike ka bërë që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të shpallin tashmë gjendje të krizës energjetike.
Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, tha se kriza e tillë ka arritur edhe në Kosovë.
Aktualisht, nga termocentralet “Kosova A” dhe “Kosova B” në Obiliq prodhohen jo më shumë se 550 megavate në orë, tha Buzhala.
Sipas tij, kërkesat janë për mbi 1,100 megavate dhe importi është i domosdoshëm.
“Janë duke u importuar mbi 200 megavate energji elektrike, me çmime shumë të shtrenjta. Po blejmë energji me çmime astronomike, të cilat shkojnë në 300 euro për megavat – pesëfish më shumë se vitin e kaluar”, tha Buzhala, për të shtuar se rritja e çmimit të rrymës në Kosovë do të jetë e pashmangshme.
Qytetarët në hall me çmimet
Bedri Vllasaliu, nga Prishtina, thotë se çdo rritje e çmimit të energjisë elektrike do të jetë vështirë e përballueshme për familjen e tij 6-anëtarëshe.
“Rrymë paguajmë diku 30 euro [në muaj]. Nëse shtrenjtohet, është e papërballueshme. Sikur të ishte vetëm rryma, por janë shtrenjtuar edhe produktet tjera. Me një rrogë 300 eurosh nuk mund t’ia dalësh”, thotë ai.
Edhe për Adrian Krasniqin, i cili jeton në Prishtinë bashkë me gjashtë anëtarë të familjes, rritja e çmimit të rrymës do të sillte vështirësi.
“Rreth 85 euro më ka ardhur fatura e energjisë elektrike. Për neve, si qytetarë, shtrenjtimi është vështirë i përballueshëm”, thotë Krasniqi.
Nexhip Shylemaja thotë se për muajin nëntor ka paguar 30 euro për rrymën. Në familjen e tij 4-anëtarëshe, ngrohjen e bëjnë me djegie të drurëve.
“Nuk paguaj shumë rrymë se nxehemi me djegie të drurëve. Nuk do të ishte mirë të shtrenjtohet energjia elektrike, pasi janë shtrenjtuar të gjitha [produktet], por, siç duket, do të ketë shtrenjtim”, thotë ai.
Përveç çmimit të energjisë elektrike, që pritet të shtrenjtohet, muajve të fundit në Kosovë janë shtrenjtuar dukshëm edhe çmimet e produkteve bazë.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, rritja e çmimeve ka filluar nga muaji prill me 1.2 për qind, duke arritur në 5.7 për qind në muajin tetor.
Rritja më e lartë është vërejtur te buka, drithërat, mishi, qumështi, djathi, vaji, vezët, pemët dhe perimet.