Ambasada Amerikane në Kosovës ka publikuar një njoftim për të gjithë shtetasit e saj përmes faqes travel.state.gov, ku bëhet thirrje për kujdes të shtuar të lëvizjeve.
Në të dhënat e kësaj faqeje të publikuar më 22 nëntor, thuhet se shtetasit amerikanë duhet të kenë kujdes dhe t’i rishqyrtojnë udhëtimet për në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok e Leposaviç për shkak të tensioneve dhe potencialit për trazira civile në atë pjesë.
Përveç zonës së veriut të vendit, Departamenti Amerikan i Shtetit këshillon qytetarët amerikanë që të kenë kujdes dhe t’i rishqyrtojnë vizitat në vende të tjera si qendra tregtare, klube, restorante dhe zona të tjera për shkak të sulmeve potenciale nga grupe terrorise.
“Grupet terroriste vazhdojnë të komplotojnë sulme të mundshme në rajonin e Ballkanit, përfshirë Kosovën.
Terroristët mund të sulmojnë me pak ose aspak paralajmërim, duke synuar vendndodhje turistike, qendra transporti, tregje/qendër tregtare, objekte të qeverisjes vendore, hotele, klube, restorante, vende kulti, parqe, ngjarje të mëdha sportive dhe kulturore, institucione arsimore, aeroporte dhe të tjera hapësira publike”, thuhet në udhëzimet e publikuara, transmeton Klankosova.tv.