Në familjen e Gani Gjokajt në Skivjan të Gjakovës është hapur dera për ngushëllime. Babai Xhaferi dhe familja e gjerë po presin njerëz për ngushëllime pas vrasjes së mbrëmshme në Gllogjan të Deçanit, ngjarje kjo që tronditi të gjithë Kosovën.
As babai i viktimës, Xhaferi, as familjarët tjerë nuk mund të thonë diçka rreth shkaqeve apo motiveve të vrasjes.
Send s’ dimë si e pse ka ndodhë” është fjalia që e përsërisin pritësit e ngushëllueseve.
Fjalët më të mira për të ndjerin, janë ato që përsëriten nga ata.
“Akt terrorist”, është përshkrimi që i bëjnë rastit, ku mbetën të vrarë edhe 2 nxënës të cilët po i ndiqnin mësimet në Gjakovë dhe në ato momente ishin duke u kthyer në shtëpitë e tyre.
Një deklaratë para shtëpisë së të ndjerit, e ka dhënë për kohën djali i xhaxhait të viktimës, Hysniu.
“Asgjë nuk dimë, asnjë informatë nuk e kemi, veç ka ndodhë masakër, askush nuk e din pse o ba, çka ka ndodhë”, është shprehur ai.
Gjokaj ka thënë se nuk ka njohuri për ndonjë konflikt eventual të viktimës me dikë.
“Asnjë konflikt, kurrë s’ka thënë se ka ndonjë konflikt” , ka thënë djali i xhaxhait të viktimës. Ai ka shtuar se derisa nuk ka njohuri për ndonjë konflikt, familja edhe nuk ka ndonjë person të dyshuar nga i cili mund ta drejtojë gishtin.
“S’ka pas probleme me dikë, kurrfarë problemi, s’ka folur për ndonjë problem”, ka thënë Gjokaj.
Ai ka bërë me dije se i ndjeri ka lënë në jetë bashkëshorten dhe 4 fëmijë, 3 vajza dhe një djalë.
Familja Gjokaj kanë bërë me dije të shtunën në orët e mëngjesit se kufoma e familjarit të tyre ende gjendet në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion dhe sipas tyre varrimi nuk do të bëhet sot.
Tre persona javë vrarë e një tjetër është plagosur pasi autobusi me të cilin po udhëtonin nga Gjakova për në Gllogjan të Deçanit është gjuajtur me armë zjarri, rreth orës 19:00 të së premtes.
Dyshohet se gjuajtja është bërë nga një person i maskuar, i cili ende nuk është indentifikuar.
Policia ka bërë të ditur se është duke hetuar dy-tri pista për ngjarjen por që aktualisht nuk mund të jepen më shumë detaje në këtë drejtim.