Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj ka komentuar rënien e votave për Lëvizjen Vetëvendosje në zgjedhjet e fundit komunale në krahasim me ato parlamentare të 14 shkurtit.
Ai në emisionin Politiko të Kanal 10 ka renditur pasojat që sipas tij çuan te rënia e votave për partinë e Albin Kurtit.
Ky rezultat nuk është rastësi, Vetëvendosje duhet ta kuptojë këtë. Vetëvendosje s’është e mirë në qeverisje, por si opozitë di ta bëjë punën e mirë. Qeverisja Kurti ka bërë disa devijime, duke nisur nga premtimet e shumta për qytetarët, se do ta luftojë korrupsionin, se s’do ta bëjë dialogun”, tha Haradinaj.
Për më tepër, lideri i AAK-së tha se bartja e përgjegjësive për humbje në zgjedhje te niveli lokal nga kryeministri Kurti është e gabuar.
“Rezultati nuk është fare rastësi dhe Kurti gabon nëse tenton ta bart përgjegjësinë vetëm te niveli lokal. Është një rënie e madhe, po flasim mbi dy të tretat e votave që ka humbur Kurti”, tha Haradinaj.
Lideri i AAK-së ka thënë se pret bashkëqeverisje në Kamenicë dhe Podujevë, ku kanë fituar kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje.