Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, ka bërë me dije se anëtarësimi i Kosovës në Këshill të Evropës varet nga Kosova.
Ai ka vlerësuar se pretendimet se vendet perëndimore nuk e duan Kosovën në KiE janë vetëm përralla.
Në një opinion të shkruar për “Koha Ditore”, diplomati gjerman ka treguar se të gjithë miqtë e duan Kosovën anëtare të KiE-së.
“Obligimi ligjor për themelimin e një asociacioni të komunave me shumicë serbe në Kosovë, i cili po ashtu ekziston prej shumë vitesh, nuk është përmbushur ende. Për shkak se Kosova nuk donte që Gjykata Kushtetuese të shqyrtonte statutin për një asociacion të tillë, të hartuar nga Bashkimi Evropian, shumica e votave të shteteve anëtare e nevojshme për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës u rrezikua seriozisht. Vendimi u shty vetëm për të shmangur një humbje të mundshme. Është një përrallë që ne dhe miqtë tanë nuk duam që Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Evropës. E kundërta është e vërtetë”, ka shkruar ai.
Ai ka përmendur përfiton që do t`i kishte Kosova nga anëtarësimi në Këshill të Evropës.
“Ka aq shumë që ndërlidhet me anëtarësimin në Këshillin e Evropës: mbrojtje më e mirë ligjore për kosovarët përmes mundësisë së parashtrimit të ankesave në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut; forcimi i mëtejshëm i demokracisë dhe shtetit ligjor, përmirësime të ndjeshme në fushën e mbrojtjes së pakicave dhe kështu me radhë”, ka vlerësuar Rohde.
Diplomati gjerman ka theksuar se Kosova duhet ta dërgojë në Kushtetuese draftin e BE-së për Asociacionin.
“Por lajmi i mirë është: pranimi i Kosovës në Këshillin e Evropës si pararendës i Bashkimit Evropian mbetet i arritshëm. I takon vetë vendit që të ndërmarrë hapin e guximshëm që kërkohet për ta bërë këtë dhe të paraqesë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, të propozuar nga BE-ja. Propozimi është shqyrtuar intensivisht nga ekspertë të ndryshëm për të përcaktuar pranueshmërinë ligjore dhe realizueshmërinë e tij politike. Megjithatë, çdo rezervë kushtetuese për një projekt kaq themelor është sigurisht legjitime. Askush nuk do të kërkojë që Kosova të krijojë një asociacion të komunave që nuk i plotëson kushtet kushtetuese. Pikërisht për këtë kemi gjykatat kushtetuese: ato dhe vetëm ato janë autoriteti përfundimtar për të mbrojtur kushtetutat tona”, ka shkruar ai.