Kuvendi i Kosovës sot pritet të mbajë seancë plenare, duke filluar nga ora 10:00, shkruan Gazeta Sinjali.
Në seancën e sotme përveç projektligjeve që do të shqyrtohen, pritet të mbahet edhe debat parlamentar në lidhje me veprimet e Qeverisë për projektin e gazit me MCC.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, njoftoi me 30 shtator se Qeveria e Kosovës nuk do të vazhdojë tutje me projektin për kyçjen e Kosovës në gazsjellësin ekzistues në Maqedoninë e Veriut, projekt ky i përkrahur nga MCC-ja amerikane.
Ajo ka shtuar se kanë nevojë për më shumë informacione rreth projektit të gazsjellësit për të ditur nëse është projekt adekuat për tranzicionin energjetik të Kosovës.
Refuzimi që qeveria ia bëri këtij projekti nxiti debat në Kosovë pasi partitë opozitare thanë se po refuzohet një projekt amerikan me interes strategjik për vendin.
Projekti për ndërtimin e infrastrukturës së gazit me Maqedoninë e Veriut, sipas Qeverisë së Kosovës parashihej të bëhej me mbështetje të agjencisë amerikane, Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), me kredi nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) si dhe nga Korniza e Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF)