Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Çdo ditë raportohen raste ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhunë psikike e fizike nga bashkëshortët e tyre dhe anëtarët tjerë të familjes.
Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë në një familje në fshatin Pagarushë të Malishevës, ku një person po dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.
Rasti ka ndodhur në shtëpinë e tyre, kur pas një debati verbal, i dyshuari ka ushtruar dhunë psikike ndaj gruas, duke i shkaktuar shqetësim e frikë.
Përballë kësaj situate, viktima e ka denoncuar rastin në Polici, ku ka rrëfyer edhe rastet e tjera që kanë ndodhur në familjen e tyre dhe ka kërkuar urdhër mbrojtës.
Si rezultat i raportimit, i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ndërsa gruaja ka shkuar në strehimore me 5 fëmijët.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit dhe inicimi i rastit nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.