Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), sot kanë realizuar një aksion, që kishte cak dy persona, që dyshohet se janë përfshirë në veprimtari të kundërligjshme. Si rezultat, janë iniciuar dy raste penale.
Njëri rast ka ndodhur në Pejë, ku janë realizuar kontrolle në tri barnatore dhe janë gjetur një sasi e barnave pa banderola.
Ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti me urdhër të Prokurorit të Shtetit.
“Rasti i dytë: DHKEK, përkatësisht hetuesit e Njësisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit -Pejë, më 27.06.2024, kanë zbatuar urdhëresën e Gjykatës Themelore Pejë, ku së bashku me Inspektorët Farmaceutik të Ministrisë së Shëndetësisë, kanë realizuar kontrolle në tri barnatore në Pejë. Gjatë kontrollit, në dy barnatore, është gjetur një sasi e barnave pa banderola.
Janë sekuestruar 144 paketime të barnave të ndryshme. Në prezencë të avokatit është intervistuar i dyshuari: N.Zh., (viti i lindjes 1987, mashkull kosovar). Ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti ‘prodhimi dhe shpërndarja e produkteve të dëmshme mjekësore’. Me akt-vendim nga prokurorja, rasti do të zhvillohet në procedurë të rregullt.“
Ndërsa në rastin tjetër është arrestuar instruktori i një autoshkolle në Pejë, si i dyshuar për ryshfet. I dyshuari B.G., u kap në flagrancë duke pranuar 500 euro që t’ia mundësojë një personi kryerjen e testit me shkrim për patentë shofer.