Ish-presidenti i Hondurasit, Juan Orlando Hernandez, është dënuar me 45 vjet burgim dhe tetë milionë dollarë gjobë nga gjykata amerikane për trafikim droge, raporton CNN.
Ai kishte mohuar akuzat, ndërkaq edhe gjatë vendimit të mërkurën, ka insistuar se është i pafajshëm dhe se “po akuzohej gabimisht dhe padrejtësisht”.
Në muajin mars, juria në Gjykatë e shpalli fajtor Hernandezin për tri akuzat për trafikim me drogë pas gjykimit në Gjykatën federale të Manhattanit që zgjati tre javë.
Ai ishte ekstraduar nga Hondurasi pasi Departamenti amerikan i Drejtësisë dorëzoi tre akuza për trafikim dhe posedim armësh në vitin 2022.
Prokurorët e kishin akuzuar Hernandezin për bashkëpunim me kartelet e drogës gjatë mandatit si president dhe transportimin e më shumë se 400 tonë kokaine nga Hondurasi drejt SHBA-së.
Për këtë transport ai ishte paguar me miliona dollarë me të cilat ishte ngritur politikisht në Honduras.
Ai ishte president i Hondurasit nga viti 2014 deri më 2022.