Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka konfirmuar se ka kërkuar që të plotësohen tri kushtet e vëna nga ai ndaj presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, që të zhvillohet takim bilateral në Bruksel.
Ai ka deklaruar të mërkurën pas takimit se, “Qeveria ka shprehur qëndrimin e saj për zbatimin e Marrëveshjes Bazike, që ishte dakorduar në shkurtin e 2023-tës”.
“Konsiderojmë që Marrëveshja Bazike dhe Aneksi i zbatimit janë një e arritur e dalluar në politikën e jashtme por edhe e arritur e BE-së, i cili ka ndërmjetësuar runde të tëra të këtij dialogu. Hera e fundit kur kemi pasur takim trilateral ka qenë më 14 shtator të vitit të kaluar. Ka ndodhur shumëçka prej atëherë kur ka ndodhur Banjska por edhe letra e tërheqjes nga marrëveshja bazike”, ka thënë Kurti.
Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, konfirmoi se sot në Bruksel nuk është mbajtur takim trepalësh, duke theksuar se Kosova nuk ishte e gatshme për një takim të tillë.
Ai tha se gjatë takimeve dypalëshe Kurti paraqiti tri kushte për angazhimin e mëtejmë në procesin e normalizimit të raporteve me Serbinë.
“E para, formalizimi i Marrëveshjes Bazë përmes nënshkrimit nga krerët respektivë të shteteve. E dyta, tërheqja e letrës zyrtare e dorëzuar në BE nga ish-kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, më 13 dhjetor 2023. Dhe e treta, dorëzimi i Millan Radoiçiqit dhe grupit të tij paramilitar terrorist tek autoritetet gjyqësore të Kosovës”, tha Borrell gjatë një konference për media.
Kurti, mes tjerash, tha se organizatori i sulmit në Banjskë, Milan Radoiçiq, duhet t’iu dorëzohet autoriteteve kosovare “përndryshe normalizimi dhe paqja nuk ndodhë në rajon”, duke shtuar se ka kërkuar zbatimin në tërësi të marrëveshjeve me Serbinë dhe “tërheqjen e letrave rezervë”.
“Këto letra janë anësore, janë sulme direkte mbi Marrëveshjen Bazike. Do të provohet në fillim të korrikut që të diskutohet për sekuencimin. Ajo çka bërë ne sot është që e kemi mbrojtur Marrëveshjen Bazike. Sulmi është nga mosnënshkrimi i marrëveshjes, nga letra e Bërnabiqit dhe nga mosdorëzimi i Radoiçiqit i cili në Serbi i vazhdon trajnimet për sulme të reja”, përfundoi kryeministri Kurti.