Sot u raportua se Prokuroria Speciale e Kosovës ka filluar të hetojë rastin për faljen e borxheve të kompanive që merren me ambalazhin e ujit, pasi në forma joligjore Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, e udhëhequr nga Liburn Aliu ua ka shlyer borxhet milionëshe dhjetëra kompanive.
Për këtë rast ka reaguar deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi, e cila ka thënë se “as 12 katët e burgut të Dubravës nuk do t’i dilnin kësaj qeverie”.
“Korrupsioni masiv i qeverisë Kurti u konfirmua sot pasi prokuroria nis hetimet për faljen ilegale të borxheve për ambalazhuesit e ujit. Këta që vodhën në rezerva shtetërore, që vodhën në KEK, me Nagipin e me pare të Serbisë me Martinin, nuk po u ndalen skandalet e hajnisë. Sot, prokuroria nisi hetimet pas publikimeve të Albanian Post lidhur me skandalin e faljes së borxheve për ambalazhuesit e ujit”, shkroi Krasniqi.
“Qeverisë së skandaleve dhe korrupsionit të udhëhequr nga Albin Kurti nuk i kryejnë punë as “12 katët e Dubravës” sepse kanë edhe më shumë njerëz që duhet të burgosen se që “12 katët” kanë vend. Hajnat e ambalazhuesve të ujit në burg”, përfundoi ajo.