Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar sot me liderët e subjekteve opozitare në Kuvend. Ai në zyrën e tij në Qeveri e ka pritur në takim kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi dhe kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
Pas takimit, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka bërë të ditur se nga kryeministri Kurti janë informuar lidhur me gjendjen aktuale në veri dhe rrjedhën e veprimeve të deritanishme në zbatimin e vendimit për reciprocitetin me targa.
Krasniqi ka thënë se ka kërkuar nga Kryeministri që të marrë masa për zbatimin e ligjshmërisë, garantimin e sigurisë së Policëve dhe zyrtarëve të Republikës së Kosovës si dhe të gjithë qytetarëve të komunave veriore pa dallim.
Po ashtu përballë kësaj situate dhe për menaxhim efikas, kreu i PDK-së ka kërkuar që të ketë koordinim me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht me ShBA-në, BE-në dhe KFOR-in.
Postimi i plotë i tij:
Së bashku me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun, sot kam takuar kryeministrin Albin Kurti, lidhur me zhvillimet e fundit në pjesën veriore të vendit.
Nga kryeministri Kurti u informuam për gjendjen aktuale në veri, si dhe rrjedhën e veprimeve të deritanishme, në zbatimin e vendimit për reciprocitet me targa.
Kërkova nga Kryeministri që të marrë masa për zbatimin e ligjshmërisë, garantimin e sigurisë së Policëve dhe zyrtarëve tjerë të Republikës së Kosovës si dhe të gjithë qytetarëve të komunave veriore pa dallim.
Njëkohësisht, përballë kësaj situate dhe për menaxhimin efikas të saj, kërkova që të ketë koordinim me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht me SHBA-në, BE-në dhe KFOR-in.
Zbatimi i ligjshmërisë në tërë territorin e Republikës së Kosovës, është obligim kushtetues. Në ushtrimin e sovranitetit tonë kushtetues, organet e rendit dhe ligjit duhet ta kenë përkrahjen e të gjithëve.