Mensur Gashi, djali i të ndjerit, Muharrem Gashit, i cili vdiq në Mekë gjersa ishte atje për pelegrinazh, ka rrëfyer se si e kanë marrë lajmin për vdekjen e babait të tij.
Gashi thotë se lajmin për vdekjen e babait e kanë marrë nga përfaqësuesi i Bashkësisë Islame në Podujevë, i cili gjendej në Haxh.
“Lajmin e kemi marrë dje nga Bashkësia Islame, nga përfaqësuesi i BIK-ut në Podujevë që gjendet në Haxh”, ka thënë Gashi.
Gashi ka thënë se vdekja e babait ishte e natyrshme dhe se si familjarë nuk kanë ndonjë dyshim.
“Nuk ka qenë asnjëherë i sëmurë përpara, kur ka shkuar në haxh ka qenë shumë mirë, kur ka qenë në haxh ka pasë problem me frymëmarrje, ka nejt një ditë në spital dhe pastaj ka vdekur. Ka qenë shumë mirë dhe i kënaqur. Mjekët i kanë thënë ke lodhje, ke një ftohje të vogël në mushkëri dhe pastaj ka vdekur”, ka rrëfyer ai.
Ai thotë se vdekja e babait ndonëse ka qenë një humbje e madhe për familjen, është një vdekje që shumë pak e përjetojnë.
Gashi thekson se babai i tij që nga fëmijëria e kishte ëndërr jetësore të shkojë në Mekë.
“Humbje e madhe për familjen tonë, vdekja të tillë pak kush përjeton. Prindi im ka mbet jetim që në moshën 15-vjeçare, ai ka falë namaz që atëherë, ëndrra e tij jetësore ka qenë me kry obligimin fetar në Qabe”.
Ceremonia e varrimit për Muharrem Gashi u krye në qytetin e Mekës, pasi siç thotë djali i tij, “është ligj atje se nëse vdes në Mekë, varroset aty”.
“Prindi u varros dje në qytetin e Mekës. Është si ligj atje ka vdek atje varroset. Nuk ka qenë e mundur të sjellet në vendlindje për varrim”, ka përfunduar Gashi.
Ndryshe, dje ka vdekur në Mekë qytetari nga Podujeva, Muharrem Gashi, i cili shkoi atje për ta kryer Haxhin.
Lajmin për vdekjen e tij e kanë bërë të ditur familjarët.
“Vdekja ka ndodhur në Qabe atje ku shkoi për ta kryer obligimin fetar”, thuhej në njoftimin e familjarëve.