Sot në Kampin e Njësive Speciale në Vrellë, janë certifikuar pesë operatorë me qen zyrtar në njësinë K9 të Policisë së Kosovës.
Certifikimi sotëm përfshinë dy operatorë me qen zyrtar për kërkimin e eksplozivëve dhe armëve, si dhe tre operatorë me qen zyrtar për kërkimin e Drogave, Kartëmonedhave, Armëve, Municionit dhe Polimerit (DKAMP), njofton policia.
“Ky trajnim ka filluar më 12.02.2024 dhe ka përfunduar më 11.06.2024 (gjithsej 4 muaj), i realizuar nga Instruktorët vendor të Njësisë K9, në Kampin Vrella, Sllatinë dhe në institucionet shtetërore të RKS-së.
Trajnimi është realizuar duke iu përshtatur nevojave për luftimin e Armëve të Vogla dhe të Lehta (SALË), duke marrë si model shtete aleate/partnere evropiane si Anglia dhe Franca”, njofton policia.
“Njësia me qen zyrtar K9 për herë të parë ka arritur të trajnojë dhe certifikojë tre qen zyrtar sipas plan-programit të ri DKAMP, që do të thotë një qen mund të bëjë kërkimin e Drogave, Kartëmonedhave, Armëve, Municionit dhe Polimerit.
Në ceremoninë e diplomimit dhe certifikimit kanë prezantuar eprorët udhëheqës nga Departamenti i Njësive Speciale, Divizioni i Trajnimit si autoritet mbikëqyrës, si dhe zyrtarë të lartë nga OSBE që kanë ndihmuar realizimin e këtij programi me rëndësi të veçantë”, përfundon njoftimi.