Partitë opozitare po i kushtojnë vëmendje të madhe diasporës. Në këtë mandat, PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja kanë zhvilluar aktivitete të shumta në vende të ndryshme të Evropës, duke takuar grupe të mëdha të diasporës. Gjatë këtyre vizitave, këto parti kanë konsoliduar edhe strukturat e tyre në diasporë.
Me afrimin e zgjedhjes të rregullta, opozita i ka shtuar aktivitet në mërgatë. Vetëm në javën e shkuar dy partitë e mëdha opozitare kanë zhvilluar disa aktivitete në Gjermani dhe Zvicër.
Kryetari i Komisionit për Organizimin e PDK-së në Mërgatë, deputeti Elmi Reçica, gjatë vikendit ka marrë pjesë në disa takime me mërgatën në Gjermani.
Ai ka treguar se ka themeluam Këshillin për Organizimin e PDK-së për North Rhine-Westphalia
“Fuqizohet organizimi i PDK-së në Gjermani. Sot, themeluam Këshillin për Organizimin e Partisë Demokratike të Kosovës për North Rhine-Ëestphalia, prej 39 anëtarësh. Kryetar u zgjodh, Mentor Shehu. Suksese e punë të mbarë!”, ka shkruar Reçca në profilin e tij në “Facebook”.
Ndërsa, kandidati i PDK-së për kryeministër Bedri Hamza, në fund të muajit maj, ka vizituar diasporën në Zvicrës, ku ka takuar qindra bashkatdhetar.
“I emocionuar dhe i lumtur të shoh bashkatdhetarët tanë që kanë ndërtuar jetën e tyre, plot suksese dhe arritje në një vend kaq demokratik dhe gjithmonë për kaq vite, kanë ruajtur traditën dhe dashurinë për atdheun! Të rinj e të reja dhe familjarë që lanë Kosovën në rrethana të ndryshme, duke u ndarë në dysh me pjesën tjetër për një jetë më të mirë, sot janë zëri ynë në botë, janë edhe shtyllë e pamohueshme ekonomike dhe mbështetës në rrugën e pakthyeshme evropiane të Kosovës. Krenar me historitë e suksesit që ata na e tregojnë çdo ditë dhe me mbështetjen e pakursyer për vizionin tonë, për ta drejtuar vendin, drejt një të ardhme, që secili e meriton dhe kërkon!”, ka shkrua ai në profilin e tij në “Facebook”.
Edhe lidershipi i LDK-së ka shpeshtuar vizitat në diasporë.
Kryetari i kësaj partie, Lumir Avdixhiku, gjatë vikendit që e lamë pas, ka qëndruar në Zvicër.
Më këtë rast, ai ka kërkuar bashkimin e të djathtës në Kosovë.
“E djathta po ribashkohet edhe në Mërgatë! Një tjetër tubim madhështor në Gjenevë. Ju faleminderit nga zemra për pritjen! Mes bashkëatdhetarëve tanë të mërgatëas, shënuam 34 vjetorin e veprimit tonë politik në ????????; siç dhe shtruam thirrjen e përbashkimit të së djathtës brenda Lidhjes Demokratike”, ka shkruar Abdixhiku në profilin e tij në “Facebook”.
Sipas tij, e djathta në Kosovë duhet të veprojë.
“Para zymtësisë, moszhvillimit, zbrazjes e izolimit, patriotët e mëdhenj nuk mund të qëndrojnë spektatorë. Të djathtit e Kosovës s’mund të vëzhgojnë! Kosova, siç e kishim menduar gjithherë, thërret për angazhimin tonë monumental, si garantues të vetëm politik të shtetësisë, si projektues të Republikës e si besimtarë të vet demokracisë. Prandaj e dashura mërgatë, Bashkimi i së djathtës në Kosovë po ndodhë! Është radha e juaj tani!”, ka vlerësuar ai.
As lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, nuk ka qëndruar duarkryq në këtë drejtim.
Më 19 maj, ai ka vizituar Gjermaninë, ku ka marrë pjesë në organizimin e Këshillit të degës së për Bavari.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se këto tubime tregojnë se diaspora e Kosovës është në mbështetej të AAK-së.
“Para një viti isha pjesë e punimeve të Kuvendit Zgjedhor të Aleancës për Bavari. Që nga ajo kohë kryetari i kësaj dege, Selim Hoti, me bashkëpunëtorë ka krijuar një atmosferë pune që ka ndikuar në mobilizmin e strukturave të Aleancës në Gjermani dhe afrimin me bashkatdhetarët tanë. Sot, në takim me bashkatdhetarë, organizuar nga Këshilli i degës së AAK-së për Bavari, në Nuremberg, përjetova një pritje tejet të ngrohtë. Me ta, pata kënaqësinë që të flasim për zhvillimet në Kosovë dhe proceset që na presin muajt vijues. Aleanca është partia me mbështetjen më të madhe në Gjermani falë angazhimit e përkushtimit të strukturave të saj”, ka shkruar ai.
Sipas tij, diaspora është pjesë e rëndësishme e Kosovës.
“Mbështetja për koalicionin e prirë nga Aleanca është e jashtëzakonshme dhe po rritet çdo ditë. Për mua dhe Aleancën, bashkatdhetarët janë pjesë e rëndësishme në çdo proces për vendin. Ashtu siç kishin rolin e tyre jetik për lirinë e Atdheut, shtetformimin e shtetndërtimin, ata janë pjesë e jona e pandarë në përkushtimin tonë për ta sjellë ndryshimin dhe për ta orientuar Kosovën drejt zhvillimit dhe integrimit euro-atlantik”, ka shkruar Haradinaj.