Ku është fëmija im? Kjo është pyetja që për 32 vite po torturon nënën e Juliana Hoxhës, Valentinën sot 71 vjeçe.
Fëmija u zhduk në 12 mars 1992 dhe prej atëherë nuk dihet asgjë. Ishte 7 vjeçe, doli nga shtëpia për të blerë një tullumbace në lagje dhe nuk u kthye kurrë.
Valentina Hoxha, nëna e Julianës: Më jep lekë të blej një tullumbace tha. Shitësja në atë kohë tha se i ka dhënë do tullumbace, një për vetë një për vëllain. Rrugës nga është kthyer për në shtëpi, një dorë kriminale mund ta quash, sepse një njeri nuk mund ta bëjë atë punë, e rrëmbeu dhe e futi në makinë. Dola të kërkoja këtu, nuk e gjeta, si nënë kam bërë përpjekje, kam bërë letër edhe presidentëve të asaj kohe, të gjithëve u kam bërë dhe të gjithë më thonë drejtohuni në organet kompetente. Organet kompetente, më thonë se këtë gjë e dimë, dhe jemi në kërkim të saj. Çfarë do bëj unë si nënë? Unë një nënë jam. Unë përpjekjet e mia i kam bërë të gjitha, shteti duhet të vërë dorë, s’jam e para as e fundit. Ju lutem shumë si nënë, si qytetare, në qoftë se ngurroni ta thoni e shkruani në një copë letër dhe ma hidhni në shtëpi, jam një nënë që po vajtoj!
Humbur në Tiranë, në lagjen e saj pas gjimnazit Çajupi, Juliana Hoxha është fëmija i parë i rrëmbyer pas 1990. Emri i saj vazhdon prej tre dekadash i publikuar në kartelat e agjensive ndërkombëtare.
Interpol shkruan se autoritetet vendase besojnë që Juliana mund të jetë adoptuar ilegalisht në vendet e Evropës Perëndimore.
Asnjë dëshmitar, askush nuk tregon mbi identitetin e rrëmbyesve. Për të ëmën, vitet kanë mbetur në ditët kur shtëpia gumëzhinte nga zërat e fëmijëve, një ndër ta edhe zëri i Julianës.
Valentina Hoxha: Bënte detyrat dhe kishte qenë në kopsht, bënte detyrat, fëmijë 6 e gjysmë. Deri vonë pyesnin disa nga fëmijët dhe unë u thosha nuk është gjendur akoma. Djali ishte i vogël dhe pyeste kur do vijë motra, kur ishte dimër, loznin brenda. Ajo ka qenë e vogël, gjashtë vjeçe e gjysmë, po për birësim apo organe, uroj të jetë birësimi. Ajo do jetë bërë nënë! Në qoftë se ka krijuar familje, e uron nëna të jetë e lumtur, por nëna i uron të kthejë kokën mbrapa se kam 32 vjet që po lotoj!
Në kartelat e Interpol janë të afishuar emrat e 16 fëmijëve, që konsiderohen të humburi. Ata janë Juliana Hoxha shtatë vjeçe , humbi në 1992. Xhevahir Gezdari, 12 vjeç, humbi në 1995. Djali i një zyrtari të antiterrorit në shërbimin sekret, Julian Çela 10 vjeç u deklarua zyrtarisht i humbur në 2013, Eva Dumani në 2014 ishte 9 vjeç, u rrëmbye bashkë me të vëllain nga i ati duke u dërguar me luftime në Siri. Aleksandër Nikolli ishte 13 vjeç në 1998, Noel Musa, nëntë vjeç në 2019, Arisa Barci 13 vjeçe, shpallur e humbur në 2019, tre fëmijët Kledi, Robert dhe Amelia Peshpali përkatësisht 12, 11 dhe 4 vjeç u deklaruan të humbur nga Interpol në 2019. Artur Carja ishte nëntë vjet kur u shpall i humbur, Blerta Selaj humbi në 1999 dhe ishte tre vjeçe, Bleona Mataj ishte 6 vjeçe dhe u deklarua e humbur në 2010, Elson Lleshi 10 vjeç humbi në 2009 dhe dy fëmijët Jon dhe Janina Gashi 6 dhe 4 vjeç u futën në listën e Interpolit si të humbur në 2015.
Mes tyre ka fëmijë që janë rrëmbyer nga njëri prind. Shefi i Interpolit Idajet Faskaj, pranon se në total në Shqipëri njihen si të humbur 243 persona, dhe siç kuptohet përqindjen më të lartë të të zhdukurve e zënë të rriturit.
Idajet Faskaj: Përveç anës që njihet nga të gjithë, përveç kapjes së të kërkuarve është me mision edhe për gjetjen e personave të humbur. Policia ka kërkuar gjithë informacionin e marrë për personat e humbur në bazë të ankesave të familjarëve dhe ka vazhduar me përcjelljen e këtij informacioni që sipas vendimit ka bërë shpalljen publike të tyre. Për ditën që flasim, Interpol Tirana ka 243 kartela të verdha dhe 141 kartela që janë të publikuara.
Anila Hoxha: Sa prej tyre janë fëmijë të humbur?
Idajet Faskaj: Missing children ka dy kategori, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Me kartela të verdha kemi shtatë, pesë të tjerë janë nga 10 vjeç e poshtë. Persona të tjerë janë në bazë të kritereve, dhe në respektim të konventës së Hagës. Pretendohet se janë marrë nga njëri familjar dhe janë katër qe nuk i kemi shpallur në kërkim ndërkombëtar. Interpol ka procedurat e veta dhe është shumë sensitive. Në bazë të ligjit duhet të respektohen disa parime, nuk duhet të ekstradohen në baza raciale, fetare edhe për ata që njihet se janë marrë në mënyrë të padrejtë, pavarësisht se Interpoli mund të kontribuojë, procedura për kthimin e tij tek njëri nga prindërit duhet respektuar disa etapa. Në këtë rast duhet të jetë ministria e drejtësisë që çmon interesin më të lartë.
Anila Hoxha: Si komunikon Interpol, më i vogli është tre vjeç, më i madhi 13…
Idajet Faskaj: Aty ka disa kritere, karakteristikat, prindi, shenjat e veçanta, si është humbur, ku ka qenë . Së fundmi Interpoli ka shtuar edhe And që do ndihmojnë për identifikimin e tyre, dhe Intrepol ka një bazë të madhe dhe deri tani 1900 sample (shenja) të ADN dhe ne synojmë të shtojmë rastet. Viti më i hershëm është 1992, që është Juliana Hoxha, vazhdon të ende në database. Është Xhevahir Gezdari, shpalljet kanë filluar në 2004, sot e 20 vjet pasi janë ezauruar të gjitha njoftimet.